Krateret e çuditshme në Siberi mund ta zbulojnë misterin e Trekëndëshit të Bermudës

  • 01 August 2015 - 23:45
Krateret e çuditshme në Siberi mund ta zbulojnë misterin e Trekëndëshit të Bermudës

Më herët gjatë këtij vitit, në Siberi kishin filluar të shfaqeshin vrima gjigante, duke ndikuar në daljen e teorive të shumta rreth origjinës së tyre. Tani, shkencëtarët mendojnë që këto vrima janë shkaktuar nga një eksplodim i gazit nëntokësor. Tani, ky shpjegim mund të jetë i vlefshëm edhe për zhdukjen e anijeve dhe aeroplanëve në zonën e njohur si ‘Trekëndëshi i Bermudës’.

Mendimet fillestare

Më herët, për tri vrimat gjigante të gjetura në Jamal dhe Taimir, ishte thënë që ishin hapur nga vetë njerëzit, ishin shkaktuar nga meteoritët apo nga ndonjë sulm me raketa, mirëpo tani, pasi që shkencëtarët kanë studiuar vrimën më të madhe nga këto tri vrima, kanë ardhur në përfundim që vrimat janë shkaktuar nga një shpërthim gjigant i gazit në brendësi të tokës.

“Ngrohja nga sipër, e cila zakonisht ka ardhur si pasojë e kushteve klimatike dhe ngrohja nga brendësia, për shkak të linjave gjeologjike, ka shkaktuar lëshimin e menjëhershëm të gazit”, ka raportuar ‘The Siberian Times’, duke cituar shkencëtarët që kanë qenë pjesë e studimit.

Ato ekzistojnë në regjionet nëntokësore të veriut të Siberisë, mirëpo edhe në brendësi të disa oqeaneve në botë.

“Elementi kryesor – gjë që mbështet edhe teorinë tonë – ka qenë lirimi i menjëhershëm i një sasie të madhe të gazit”, ka shpjeguar shkencëtari Vladimir Potapov. “Shfaqja e vrimës në formë krateri, besojmë që ka ardhur si pasojë e nxehjeve nga të dyja anët – nga lart poshtë dhe e kundërta”.

Aktiviteti tektonik

Ai e ka theksuar edhe faktin që krateri gjendet në vendin ku bashkohen dy pllaka tektonike. Gadishulli i Jamalit është një vend me lëkundje të rralla, megjithatë pjesa ku është shfaqur krateri duket të ketë pasur një jetë aktive tektonike. Kjo do të thotë që temperaturat në atë zonë kanë qenë më të larta se zakonisht. Ekspertët mendojnë që kjo teori mund të gjejë zbatim edhe në shpjegimin e zhdukjes misterioze të objekteve në Trekëndëshin e Bermudës, vend që shtrihet nga territori britanik në veri të Oqeanit Atlantik deri në brigjet e Floridës dhe nga aty në Porto-Riko.

Shkencëtari rus, Igor Yeltsov, i cili gjithashtu ka qenë pjesë e studimit, ka thënë: ‘Ekziston versioni që Trekëndëshi i Bermudës është krijuar si pasojë e reaksioneve të gazit. Akulli i metanit dekompozohet për t’u kthyer në gaz, duke prodhuar sasi të mëdha të gazit. Kjo gjë bën që oqeani të nxehet e më pas të tërheqë anijet”. 

(Kosova Sot)