Udhëtimet ndërdimensionale (2)

  • 31 August 2015 - 16:32
Udhëtimet ndërdimensionale (2)

Dëshmitë nuk janë të pakta, por varet nga ju se a doni të besoni apo jo

Rasti i Lerina Garcia-s

Në korrik të vitit 2009, Lerina u zgjua në shtratin e vet. Sapo u zgjua, vërejti disa detaje të cilat iu dukën tepër të çuditshme. Shtrojat në shtrat ishin të ndryshme dhe pizhamet me të cilat u zgjua, nuk ishin ato me të cilat ishte shtrirë në mbrëmje. Por, ajo vendosi t’i injoronte të gjitha këto dhe të shkonte në vendin e punës, ku punonte tash e 20 vjet. Kur arriti në repartin e vet, vërejti se nuk gjendej në vendin e duhur, edhe pse lokaliteti ishte i njëjtë.
Kuptoi se ishte duke ndodhur diçka e çuditshme, prandaj u kthye në shtëpi. Aty gjeti njeriun me të cilin kishte qenë në lidhje, por ishte ndarë, mirëpo ai sillej sikur të mos kishte ndodhur fare ndarja. E, të dashurit të saj të ri, me të cilin kishte filluar lidhjen para disa muajsh, nuk i gjendej as nami e as nishani. Disa shkencëtarë këtë rast e kanë përshkruar si “ngecje neurologjike”, por Lerina është e bindur se është zgjuar në një botë paralele.

Njerëzit-hije

Sipas teorive të Albert Einstein-it, ekzistojnë katër dimensione, tri hapësinore dhe një dimension kohor. Stephen Hawking e ka thelluar këtë teori dhe ka analizuar mundësinë e ekzistimit të një numri të madh të dimensioneve në kohën tonë. Sipas tij, materia dhe drita kufizohen me “membranat” e një dimensioni të caktuar, e mundësia e udhëtimit në dimensione të ndryshme ekziston që ç’ke me të. Më saktësisht, mund të shohim hijet e njerëzve dhe galaktikave në dimensionet e tjera. Shumë amerikanë pohojnë se janë takuar me njerëzit-hije.
Një vajzë e ka përshkruar takimin me disa krijesa misterioze. Një mbrëmje, në murin e shtëpisë së vet, ajo kishte parë një hije të madhe dhe jo të rëndomtë, e cila në një moment “zbriti” nga muri dhe filloi të ecte nëpër dhomë. Më larg ajo pa edhe tri hije të tjera. Ajo është e bindur se bëhej fjalë për udhëtarë nga ndonjë dimension tjetër. 

Bjeshka gurore Marakvasi

Marakvasi gjendet në Lima (Peru). Gurët e mëdhenj ngjajnë në skulptura dhe kanë forma të fytyrave të njerëzve, por askush nuk e di si janë formuar ato. Sipas besimeve të banorëve vendas, por edhe të shumë shkencëtarëve, në atë vend gjenden dyert që çojnë në një dimension tjetër.
Doktor Raul Rios Centeno njëherë kishte pasur një paciente të kapur nga paraliza. Ajo i kishte treguar sesi me miqtë kishte qenë në kamping në Marakvasi. Gjatë shëtitjes, kishin gjetur një kasolle të gurtë, ku vallëzonin njerëz të veshur me rroba nga shekulli XVII. Asaj i kujtohej sesi kishte ndier një tërheqje tepër të madhe që të hynte në atë kasolle, por një mik i saj e kishte ngrehur para se të hynte tërësisht. Ajo thotë se pjesa e trupit, me të cilën hyri në kasolle, i mbeti e paralizuar. Analizat mjekësore nuk kanë gjetur ndonjë shkaktar për paralizën e saj, derisa Centeno beson se pacientja ka përjetuar ndryshim të dimensionit, gjë që ka rezultuar me ndryshimin e rrjedhës së energjisë në sistemin e saj nervor.

FUND