Atmosfera e yllit xhuxhi i bardhë përbëhet nga 99% oksigjen

  • 23 September 2018 - 14:50
Atmosfera e yllit xhuxhi i bardhë përbëhet nga 99% oksigjen

Një yll misterioz me një atmosferë të dominuar nga oksigjeni i ka lënë shkencëtarët pa fjalë. I zbuluar në një distancë prej 1200 vite të dritës, në yjësinë Draco, ky yll është përshkruar si shumë i çuditshëm dhe i vetmi me këto karakteristika. Xhuxhi i bardhë rëndom është ajo që mbetet pasi që një yll humbë shtresat e jashtme, duke i mbetur vetëm bërthama, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Zakonisht në rastet e tilla, elementet më të rënda, sikur që janë karboni dhe oksigjeni, zhyten deri në qendër të bërthamës, derisa elementet më të lehta, sikur që janë hidrogjeni dhe heliumi, rrinë pezull përmbi. Por, në këtë rast, xhuxhi i bardhë i zbuluar nga astronomët, posedon një atmosferë të përbërë thuajse krejt (99.99%) nga oksigjeni.
"Shtrohet pyetja nga erdhi tërë ky oksigjen", thotë Kepler de Souza Oliveira Filho, astronom nga Brazili. Njëra nga mundësitë është që ky yll ishte pjesë e një sistemi binar dhe se ylli i tij shoqërues ka lëshuar të gjitha elementet më të lehta në një moment në të kaluarën.

(Kosova Sot)