Edhe popujt antikë e dinin se Toka është e rrumbullakët

  • 01 September 2015 - 18:57
Edhe popujt antikë e dinin se Toka është e rrumbullakët

Pse Christopher Columbus-it i përshkruhet merita për një zbulim, i cili ishte i ditur rreth 2000 vjet para tij?
Në shkollë na kanë thënë se Christopher Columbus ishte personi, i cili kishte zbuluar se Toka është e rrumbullakët dhe ishte nisur në një udhëtim për ta dëshmuar atë. Kjo është vetëm njëra nga ato rrenat “e vogla”, të cilat ende vazhdojnë t’i thonë nëpër shkolla.

Kush e zbuloi se Toka është e rrumbullakët?

Eratostheni (276-194 para erës së re), i ati i gjeografisë, e bëri këtë zbulim rreth 1700 vjet para Columbus-it. Ai spekulonte duke thënë se Toka ka formën e topit, bazuar në tregimet dhe mitet e detarëve grekë, para se ta vërtetonte supozimin e tij.

Thënë më saktë, Pitagora ishte njëri nga krijuesit e kësaj ideje, Aristoteli ofroi dëshmi fizike, derisa Eratostheni vërtetoi formën e rrumbullakët të Tokës.

Eratostheni, matematikan, gjeograf, poet, astronom, si dhe teoricien i muzikës, është i njohur si njeriu i parë që e llogariti perimetrin e Tokës, gjë që e bëri duke mos u larguar asnjëherë nga Egjipti. Ai ia doli që ta bënte këtë llogaritje duke aplikuar një sistem matës me stadie (stadi, apo stadia ishte njësi matëse e grekëve të lashtë, e barabartë me një stadium tipik sportiv). Thuhet se ai llogariti edhe distancën midis Tokës dhe Diellit, me mijëra vite para shkencës moderne.

Eratostheni ishte njeriu i parë, i cili vizatoi hartën e botës, duke përdorë paralele dhe meridianë, bazuar në dituritë gjeografike të asaj kohe. Ai ishte po ashtu njeriu i parë që përdori sistemin e gjerësisë dhe gjatësisë në gjeografi.

Eratostheni me të vërtetë i gjithanshëm

Matjet, llogaritjet dhe supozimet e tij ishin më të sakta pas çdo studimi të ri. Eratostheni e dinte se në vendlindjen e tij, Aleksandria, sipas llogaritjeve, këndi i ngritjes së Diellit, ishte 1/50-ta e rrethit, gjë që është 7º12′ në jug të Zenitit.

Ai supozonte se Aleksandria ishte në veri të Sienës dhe se Toka, në fakt, ka formë sferike, me 360º. Ai arriti deri te përfundimi se distanca harkore e meridianit nga Aleksandria deri në Siena ishte 1/50 = 7º12’/360º, duke paraqitur kështu 1/50 e perimetrit të plotë të Tokës. Eratostheni e dinte se 500 milje janë të barabarta me 1/50 të perimetrit të Tokës. Ai këtë e shumëzoi me 50 dhe shtoi 200 milje, për shkak të gabimeve të mundshme në matje. Kështu Eratostheni arriti deri te përfundimi se perimetri i Tokës është 25,200 milje. Matjet aktuale të perimetrit të Tokës janë 24,901 milje ose 40,075 km. 

(Kosova Sot)