A ka lidhshmëri midis materies së zezë dhe alienëve?

  • 18 October 2018 - 15:18
A ka lidhshmëri midis materies së zezë dhe alienëve?

Me gjasë edhe ju, sikur shumica e njerëzve, gjatë netëve pa gjumë, e keni pyetur veten a thua, ku janë të gjithë ata alienë?,raporton Gazeta Kosova Sot.

Radio-astronomi Frank Drake në një rast kishte vlerësuar se ekzistojnë rreth 10,000 civilizime të përparuara vetëm në Kashtën e kumtrit. Kjo llogaritje njihet me emrin ekuacioni i Drake-ut. Carl Sagan e ngriti këtë shifër në 1 milion. Dhe, këto llogaritje bazohen në format jetësore që bazohen në karbon, që kanë evoluuar në planetët e ngjashëm me Tokën. Këtu nuk merren parasysh racat e alienëve që mund të bazohen në arsen, sulfur, klor, azot, apo në ndonjë materie për të cilën kurrë mund të mos kemi dëgjuar. Stephen Hawking ka spekuluar me idenë se mund të ketë forma ekzotike të vetëdijes brenda yjeve, apo edhe në vrimat e zeza. Por, nëse ekzistojnë tërë këto civilizime të alienëve, atëherë pse nuk i kemi parë ende? Kjo pyetje është e njohur me emrin paradoksi i Fermit. Nëse, sikur që llogaritet, ekzistojnë me dhjetëra mijëra civilizime më të përparuara se ne, atëherë pse deri tani ata nuk na kanë kontaktuar, qoftë edhe vetëm me ndonjë sinjal të radios, apo të ndonjë komunikimi tjetër? Përsëri ndeshemi me paradoksin e Fermit.

Spekulimet e shkencëtarëve Disa shkencëtarë kanë spekuluar duke thënë se, arsyeja pse deri tani nuk kemi kontakte me këto civilizime, ka të bëjë me vendimin e vetëdijshëm të tyre, që të mos kontaktojnë me ne. Pasi që kanë evoluuar deri në një nivel të caktuar, civilizimet e tilla e kanë fituar aftësinë e ekzistimit të përjetshëm në hapësirën virtuale. Kjo është më e sigurt sesa rrethanat e ashpra të materies fizike. Por, a është realiste të mendohet se çdo civilizim i përparuar alien ka zgjedhur këtë rrugë? Tani shkencëtarët thonë se kërkimi për sferat Dyson mund të jetë kërkimi tjetër i madh për gjuetarët në alienë. Por, në ndërkohë, pse tërë kjo heshtje shurdhuese? Një shpjegim që është ofruar rrallë, nëse edhe është ofruar ndonjëherë, thotë se vetëdijet e përparuara të jashtëtokësorëve e përthekojnë pjesën më të madhe të universit duke shfrytëzuar fuqinë e materies së zezë. Materia e zezë, e kombinuar me energjinë e zezë, për të cilat thuhet se përbëjnë më shumë se 90% të universit të njohur, janë shumë pak të njohura për ne. Një gjë që e dimë është se ato ndikojnë që gjithësia të zgjerohet me një shpejtësi gjithnjë e më të madhe. 

Çka është materia e zezë? A është e mundshme që materia e zezë, në fakt, të jetë njëfarë forme e komputroniumit, një substance hipotetike, të programueshme, e cila mund të krijohet nga civilizimet që janë aq të përparuara në aspektin teknologjik, sa që mund ta shndërrojnë materien normale në fuqi kompjuterike? Komputroniumi mund të përdoret nga ndonjë civilizim i llojit Kardeshev III ose IV, për ta shndërruar universin në një kompjuter të madh, të vetëdijshëm, i cili mund të bëjë simulime dhe ta ripërtërijë energjinë e vet. Ndoshta arsyeja pse nuk kemi asnjë lajm nga civilizimet e tjera, nga alienët pra, ka të bëjë me faktin se ata të cilët do të mund të komunikonin me ne, janë duke u marrë me çështje shumë më të rëndësishme, sikur që është riformësimi i universit, apo edhe krijimi i një universi të ri. Fundja, pa ndonjë intervenim, të gjitha yjet një ditë do të shuhen. 

(Kosova Sot)