“Qoftëlargu” i Sheshit Berkli

  • 04 September 2015 - 14:46
“Qoftëlargu” i Sheshit Berkli

Shumica e atyre që kanë marrë guximin ta kalonin natën në katin e mallkuar të katërt, të ndërtesës nr. 50 të Sheshit Berkli të distriktit Uestminster të Londrës, janë takuar me përfundimin më tragjik të mundshëm. Trupat e tyre të pajetë, me fytyra të shtrembëruara, manifestonin një dhembje të madhe të cilën e kishin përjetuar para agonisë, transmeton Kosova Sot Online.

I njohur si njëri ndër lokalitetet më luksoze të Londrës, Mejfer është vendi ku gjendet një shesh, i ndërtuar në shekullin XVIII. Në këtë shesh ndodhet vetëm një ndërtesë banimi. Të tjerat ndërtesa janë krejtësisht tregtare. Këtu dallohet ndërtesa numër 50. Thuhet se ajo është shtëpi e një entiteti djallëzor – një krijese të panjohur, një poltergeisti, ose thjesht, një dreqi... askush nuk e di saktësisht se për çka bëhet fjalë. Ai quhet qoftëlarg, apo edhe “Gjëja e paemër”.

Fillimi

Të dhënat e para rreth kësaj krijese datojnë nga vitet 1840. Një i ri fisnik, Robert Warboys, kishte dëgjuar për thashethemet rreth krijesës së çuditshme. Meqë ishte i ri, në të njëzetat, si dhe për shkak se atë ditë kishte pirë pak më shumë, ai vendosi që ta kalonte natën në atë ndërtesë. I zoti i shtëpisë pranoi, por me kusht që, sapo ta vërente edhe shenjën më të vogël të rrezikut, i riu t’i binte një zileje. Pasi që kaluan 45 minuta pas mesnatës, pronari i shtëpisë dëgjoi zilen, e cila u pasua me disa të shtëna (Warboys ishte i armatosur). Ai shkoi me të shpejtë për të shikuar se çka kishte ndodhur. Gjeti vetëm trupin e pajetë të të riut, me sytë e tij të zgurdulluar nga tmerri që kishte përjetuar.

Image

Studimet

Gjatë viteve 1920, studiuesi i fenomeneve paranormale, Harry Price, kishte mbledhur shumë artikuj të gazetave, që flisnin rreth qoftëlargut të Sheshit Berkli. Ai erdhi deri te përfundimi se, të paktën në një dhomë të katit të katërt të asaj ndërtese, atmosfera është mbinatyrore, e rrezikshme për trup dhe mendje. Një vajzë që kishte qëndruar aty, kishte dëgjuar dhe ndier një tmerr aq të madh, saqë ishte çmendur dhe kurrë nuk e kishte marrë veten, pa mundur të tregonte se çka kishte parë, a dëgjuar.

Price përfundimisht kishte arritur deri te përfundimi se ndërtesa numër 50 në Sheshin Berkli, ishte vend i ndodhjes së një “poltergeisti tepër të rrezikshëm dhe të poshtër”.

Si duket qoftëlargu?

Ata që janë munduar ta përshkruajnë, thonë se bëhet fjalë për një fantazmë të zezë me nofulla të mprehta, derisa të tjerët thonë se qoftëlargu është një përbindësh pa formë të caktuar. Ka edhe të tillë që thonë se bëhet fjalë për një oktapod që ka pësuar mutacion, i cili nëpërmes kanalizimit, kishte arritur aty, duke u ushqyer kryesisht me minj, por herë pas here edhe me njerëz.