Fillon gara hapësinore për të shkuar në Mars

  • 15 November 2018 - 16:03
Fillon gara hapësinore për të shkuar në Mars

Agjencia hapësinore e SHBA-së ka kërkuar mënyrat sesi njerëzit ta tejkalojnë rrezikun e rrezatimit vdekjeprurës, humbjes potenciale të shikimit dhe atrofisë. Zyrtarët e NASA-s thanë në një konferencë për shtyp, ditë më parë në Uashington, se besojnë që mund të tejkalohen pengesat teknologjike dhe mjekësore brenda afatit prej 25 vjetësh. I pranishëm në këtë konferencë ishte ish- astronauti i NASA-s, Tom Jones, i cili iu tha gazetarëve se, në bazë të buxhetit aktual, apo lehtësisht të rritur, ata mund t'i zgjidhin këto probleme, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Musk ka një histori të mbivlerësimit të suksesit të projekteve të tij

Ndërkohë, Elon Musk dhe Agjencia e tij "SpaceX", bashkë me mbështetësit e tyre, duke përfshirë edhe astronautin britanik Tim Peake, kanë caktuar një afat më ambicioz për dërgimin e njerëzve në Mars, vitin 2028. Vizioni afatgjatë i këtij miliarderi ka të bëjë me ndërtimin e një baze dhe një qyteti me miliona banorë në Mars, gjatë 50 deri 100 vjetët e ardhshëm. Shumë gjëra duhet të shkojnë si duhen, që të realizohet ky qëllim i Muskut deri në vitin 2028, ku shumë kritikë të tij thonë se kjo është e pamundur që të arrihet. Raketa e tij "Big Falcon" vazhdon që të jetë në fazën e zhvillimit me projeksione të testit të parë të fluturimit orbital me 100 udhëtarë në vitin 2020, në rastin më të mirë. Musk ka një histori të mbivlerësimit të suksesit të projekteve të tij. Raketa e "SpaceX", "Falcon Heavy", e cila u lansua për herë të parë në shkurt, e kishte bërë këtë me pesë vjet vonesë. Edhe vet Musk pranoi në korrik të vitit 2017: 'Kjo punë doli të ishte shumë më e vështirë sesa që e kishim marrë me mend. Paskemi qenë tepër naivë". Data aktuale, e përcaktuar nga qeveria amerikane, për dërgimin e njeriut të parë në Mars, është fundi i viteve 2030. Zyrtari i NASA-s, Tom Jones, i cili bëri katër fluturime hapësinore para se të pensionohej në vitin 2001, iu tha gazetarëve se menjëherë duhet të fillojnë me zhvillimin e teknologjive të nevojshme. Me një distancë mesatare prej rreth 225 km, Mars paraqet një problem shkencor më të madh sesa problemet me të cilat janë ballafaquar misionet hënore të "Apollo"-s.

"Ende nuk kemi zgjidhje për problemet e strehimit"

Me teknologjinë aktuale raketore, një astronauti do t'i duheshin rreth 9 muaj që të arrinte në Mars, ku kostoja e qëndrimit në kushte të gravitetit zero për një kohë aq të gjatë, do të ishte tepër e madhe. Shkencëtarët mendojnë se gjendja e tillë mund të shkaktojë ndryshime të pakthyeshme në enët e gjakut të syrit, duke dëmtuar shikimin. Po ashtu, skeleti fillon që të dobësohet. Derisa në sipërfaqe të Marsit kemi një gravitacion vetëm sa një e treta e atij në Tokë, prandaj ekspertët nuk dinë cili do të jetë efekti i një gravitacioni të tillë përgjatë periudhës 1-vjeçare. NASA po përpiqet që t'i tejkalojë këto vështirësi duke e shkurtuar në mënyrë dramatike udhëtimin për në Mars. Jones përmendi nevojën e sistemeve të propulsionit bërthamor, i cili do ta sillte mundësinë e prodhimit të elektricitetit në anijet kozmike. 'Nëse fillojmë tani, atëherë për 25 vjet mund t'i posedojmë këto teknologji, që të na mbrojnë nga pasojat e udhëtimeve kaq të gjata hapësinore', thotë ai. "Ende nuk kemi zgjidhje për problemet e strehimit, mbrojtjes nga rrezet kozmike dhe valët diellore gjatë kësaj kohe kalimtare", thotë Jones. Ekspertët e aeronautikës kanë identifikuar disa teknologji të cilat duhet të zhvillohen me të shpejtë, duke përfshirë edhe anijet kozmike, të cilat mund t'i mbijetojnë hyrjes së dhunshme në Mars, si dhe të jenë të afta që t'i kthejnë njerëzit përsëri në Tokë. NASA, ndërkohë, planifikon që të vazhdojë edhe me fluturime në Hënë, e cila mund të shërbejë si stacion i dobishëm midis Tokës dhe Marsit. 

(Kosova Sot)