Bramshot, fshati më i frikshëm në Angli

  • 10 October 2015 - 10:05
Bramshot, fshati më i frikshëm në Angli

Bramshot është një fshat i vogël anglez, që gjendet gati në mes të një rruge të vjetër, që çon nga Londra për në Portsmuth.

Pozita e tij në mes të rrugës, e bënte Bramshotin vend ideal për ndaljen dhe pushimin e udhëtarëve. Aty ishin ndërtuar disa dyqane dhe, më pas, edhe një bujtinë. Fshati u zgjerua shumë për shkak të vendndodhjes së tij dhe lidhjeve të tij me fronin mbretëror, deri në shekullin XIV, por më pas u dëmtua rëndë nga murtaja, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Druri i madh i lisit, që gjendej afër kishës, e cila ishte në mes të rrugës, përdorej për varjen e kriminelëve gjatë shekullit XIV.

Më pas, me ndërtimin e hekurudhës, ky lokalitet filloi sërish të gjallërohej. Filloi edhe rritja e numrit të banorëve. Ky vend, për fat të keq, u bë i pëlqyer edhe nga kusarët.

Legjenda e bujtinës së fshatit

Bujtina origjinale “Bramshott Inn”, gjatë viteve 1700 ishte e njohur me emrin “Seven Thorns” (“Shtatë ferrat”) dhe shërbente si bujtinë e udhëtarëve, që bënin rrugën midis Londrës dhe Portsmuthit.

Bujtina “Seven Thorns” shumë shpejt u bë e njohur si një vend “i ashpër” dhe “i rrezikshëm” në të cilin “ziheshin” shumë punë të pista e të rrezikshme.

Në afërsi të kësaj bujtine ndodhën me qindra plaçkitje, sulme, vjedhje kuajsh, e bile edhe vrasje. Kjo është edhe koha kur këtu fillojnë që të paraqiten fantazmat e para.

Fillimi i fenomeneve paranormale

Bramshot thuhet të jetë fshati më i pushtuar nga djajtë në Hampshire dhe, me gjasë, edhe në tërë Britaninë. Në këtë fshat janë parë shumë fantazma, si dhe fenomene paranormale, që janë dokumentuar. Shumë nga këto fenomene vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Besohet se ky vend është i pushtuar nga 17 fantazma “të rregullta”, si dhe nga shumë entitete të tjera të çuditshme, që janë parë përgjatë viteve.

Boris Karloff kishte jetuar në Bramshot deri në vdekje. Karloff ishte vendosur në këtë vend kryesisht për shkak të historisë së tij për aktivitete paranormale. Shtëpia e tij thuhej të ishte e pushtuar nga një figurë e lartë dhe e errët, që bën zhurma të pashpjegueshme në mes të natës. Thuhet se edhe vetë shpirti i Karloff-it është parë duke u sorollatur rrugëve aty afër.

Disa nga shpirtrat që paraqiten rregullisht

Bujtina “Old Bramshott” ka fantazmën Zonja e Bardhë, për të cilën thuhet të kishte qenë zonja Hole, ish-pronarja.

Një fantazmë, e quajtur “zonja Butler”, për të cilën, derisa ishte gjallë, në vitin 1754, thuhet se nuk ishte e lumtur në martesë, u hodh në ujë. Tani, fantazma në fjalë shihet në afërsi të lumit.

Një “Zonjë e hirtë”, një fantazmë tjetër, pra shihet në afërsi të një pusi, afër bujtinës, ku mendohet se kishte bërë vetëvrasje.

Kjo bujtinë mund të “mburret” edhe me fantazmën e një djaloshi të ri, i cili derisa ishte gjallë, punonte si shërbëtor në bujtinë, por i cili më pas, në vitin 1772, ishte masakruar nga kriminelët.

Në këtë bujtinë shihet edhe fantazma e quajtur “ushtari kanadez”, fantazma e një ushtari i cili ishte vrarë nga Georges Coders në kampin ushtarak në Bramshot në vitin 1915. Thuhet se kjo vrasje kishte ndodhur si pasojë e faktit që, si Coders po ashtu edhe ai ushtar, ishin keqtrajtuar nga një fantazmë, e cila nuk i linte rehat ditë as natë. 

(Kosova Sot)