Magjia e zezë e Henry-t të Çmendur

  • 22 May 2015 - 13:18
Magjia e zezë e Henry-t të Çmendur

Dashuri dhe hakmarrje

Henry i Çmendur ishte një vetmitar që jetonte në një motel të vjetër në periferi të qytetit. Thashethemet rreth tij ishin të shumta. Disa thoshin se ai ishte magjistar, i cili thërriste fuqitë e errësirës për të bërë kërdi ndaj fqinjëve të tij. Të tjerët e quanin atë doktor të marrë, i cili ringjallte të vdekurit nga një varrezë lokale. Asnjë njeri i ndershëm nuk kishte punë me Henry-n e Çmendur.

Më pas, një vit, në qytet erdh një familje e re, që kishin një vajzë të mrekullueshme, Rachael, e cila menjëherë i ra në sy Henry-t të Çmendur. Ai e vërshoi vajzën me dhurata të shumta, të çmueshme. Por, përkundër dhuratave, Rachael ra në dashuri me dikë tjetër, me Geoffrey-n, një djalosh të hijshëm, sapo të kthyer nga universiteti. Një javë pasi u njoftuan, dy të rinjtë u arratisën, duke e lënë Henry-n të shtangur.

Pasi që Rachael dhe Geoffrey u kthyen nga arratia, ata organizuan një ballo të madhe, ku ftuan të gjithë banorët e qytetit. Derisa Rachael ishte duke vallëzuar me të atin, ajo dëgjoi zhurmën e një murmurime. Murmurima dhe vetëtima u përsërit disa herë. Më pas, u hap dera e dyfishtë dhe hyri një fllad brenda, duke sjellë me vete erën e vdekjes, së gjërave të prishura. Brenda hyri Henry i Çmendur, me sytë e skuqur nga zemërimi. Ai përcillej nga kufomat e ngjallura, të cilat marshonin dy nga dy.
Dy nga kufomat e kapën Geoffrey-n dhe e përplasën para zotërisë së tyre. Henry i Çmendur mori një thikë dhe ia preu fytin dhëndrit. Rachael bërtiti, dhe me vrap shkoi te trupi i pajetë të burrit të saj.

“Më vrit edhe mua”, bërtiste ajo me dëshpërim. 

Por, Henry i Çmendur e nxori vajzën nga pellgu i gjakut të burrit të saj të vdekur dhe e mori me vete. Zhurma e vetëtimave sa vinte e shuhej, me t’u larguar alkimisti i marrë me ndihmësit e tij as të gjallë, e as të vdekur. 

I ati i Geoffrey-t dhe ai i Rachael-ës mblodhën disa njerëz dhe iu vunë pas Henry-t të Çmendur. Kur arritën në shtëpinë e tij, panë se ajo ishte e zbrazët. Por, aty kishte një dritë misterioze. Henry ishte zhdukur. Kërkimet vazhduan me ditë të tëra, por nuk u gjet asgjë. Geoffrey u varros në varrezat lokale, kurse salla e vallëzimit u rrënua. Askush në qytet nuk fliste për atë që kishte ndodhur. Ata frikësoheshin që të mendonin se ç’fat mund të ketë pasur Rachael-a e mjerë. 

Një vit më vonë, në derën e prindërve të Rachael-ës u dëgjua një e trokitur e ndrojtur. Kur i ati e hapi derën, pa se ishte Rachael! Asaj ia kishin prerë gjuhën, që të mos mund të fliste. Por, më pas ajo nxori një thikë të përgjakur nga rrobat. Të njëjtën thikë me të cilën Henry ia kishte vrarë burrin. Nga shprehja e fytyrës, të gjithë kuptuan se ajo e kishte vrarë Henry-n e Çmendur. Atë natë, Rachael vdiq në gjumë, me një buzëqeshje të hijshme në fytyrë.

Image
Image

 

(Kosova Sot)