Ka 100 vjet që ka vdekur, por amerikanët vazhdojnë t’ia kenë frikën

  • 11 February 2016 - 17:06
Ka 100 vjet që ka vdekur, por amerikanët vazhdojnë t’ia kenë frikën

Ka 100 vjet që ka vdekur, por amerikanët, shumica prej tyre, dridhen nga frika sapo dëgjojnë emrin e H. H. Holmes-it. Ai ishte vrasësi i parë serik në historinë e Amerikës moderne. Për më tepër, para tij as që ishte përdorur ndonjëherë shprehja “vrasës serik”. Një vrasës inteligjent dhe gjakftohtë, Henry kishte ndërtuar një hotel në të cilin edhe kryente vrasjet e tij. Viktimat i vriste në mënyrat më të ndryshme – duke filluar nga ngufatja me gaz, e deri te djegia. Por, Holms nuk vriste vetëm i shtyrë nga dëshira për eksitim, por nevojën e tij të sëmurë ai mundohej edhe ta shfrytëzonte për të fituar. Shërbehej me mashtrime të sofistikuara që të merrte sigurimet jetësore të viktimave të veta, apo kufomat ua shiste institucioneve mjekësore, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image

Si filloi e tëra kjo

Herman Webster Madget lindi në vitin 1861 në një familje të pasur fshati, në Nju- Hemshajër. I ati i tij ishte një alkoolist i dhunshëm, i cili shumë shpesh dufin e tij e shfrynte mu te fëmijët. Madget ishte nxënës i jashtëzakonshëm, për çka fëmijët e tjerë në shkollë e maltretonin shpesh nga xhelozia. Në një rast, disa fëmijë të dhunshëm e kishin ngujuar në një dhomë të errët, ku gjendej një skelet njerëzor. Në fillim Madget ishte frikësuar, por frika shumë shpejt ishte zëvendësuar me një posesivitet morbid, gjë që do t’i zgjaste atij deri në fund të jetës. Pas kësaj ngjarjeje Madget shëtiste nëpër mal, duke masakruar çdo kafshë që mund të zinte. Ai ishte i obsesionuar me vdekjen. Ky fëmijë do të bëhet

Henry Howard Holmes – vrasësi i parë serik i historisë moderne amerikane.

Filloi të vriste që në moshën 16- vjeçare  

Holmes mbaroi gjimnazin në moshën 16- vjeçare dhe filloi që të punonte si arsimtar në Nju- Hemshajër. Atë kohë edhe e bëri vrasjen e parë, ku viktimë ishte ish-shoku i tij i shkollës. Më pas ai u martua dhe i lindi një djalë, por disa vjet më vonë e braktis familjen, pasi  regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë në Miçigan. Asokohe kishte një nevojë të madhe për kufoma dhe skelete njerëzore, kështu që fakultetet e mjekësisë nuk pyetnin shumë për atë sesi siguroheshin kufomat. Kjo ndikoi që Holmes të fillonte me vrasjet. Ku jetonte ai, papritmas njerëzit fillonin  të zhdukeshin në një mënyrë të mistershme, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image

Ndërtesa labirint, me shkallët që nuk çonin askund

Ai arriti në Çikago në vitin 1886, kur edhe e mori emrin e ri, Henry Howard Holmes. Ai u punësua në fillim në barnatoren e dr. E.S. Holtonit. Por, nuk kaloi shumë kohë dhe doktori vdiq në rrethana misterioze. Holmes e bindi vejushën e doktorit që t’ia shiste barnatoren, ku më pas edhe gruaja e gjorë vdiq mistershëm. Më pas, Holmes bleu një truall përballë barnatores, ku ndërtoi një ndërtesë të lartë, të cilën, për shkak të madhësisë, banorët filluan që ta quanin pallat, e më vonë edhe “pallati i vrasjeve”.

Holmes e kishte ndërtuar këtë ndërtesë si labirint, me ca shkallë të cilat nuk çonin askund, me dyer që mbylleshin në mënyrë automatike, me ventile të fshehur të gazit, me dyer të rreme, prapa të cilave gjendej muri dhe me dyer që hapeshin vetëm nga jashtë. Viktimat e tij kryesisht ishin femra, punëtore të hotelit, dashnore, apo mysafire në hotel. Kufomat i dërgonte në bodrum, ku kishte mjetet për copëtimin e tyre, si dhe një furrë për djegie.  

Pas shumë peripecive, ai zbulohet dhe gjykohet, ku dënohet me varje. Si gjatë gjykimit, po ashtu edhe në burg, ai nuk kishte manifestuar asnjë shenjë të pendimit. Kishte pranuar që, qysh nga lindja, kishte pasur një dreq brenda vetes. Dëshira e tij e vetme ishte që, pas varjes, trupin t’ia vendosnin në një arkivol me çimento dhe ta varrosnin tri metra thellë. Për ironi, ai kishte frikë se ndokush do t’ia merrte kufomën, për t’ia shitur ndonjë fakulteti të mjekësisë. U ekzekutua më 7 maj të vitit 1896.

Fotoarkiva: lit: kyklop1; 2,

(Kosova Sot)