Rasti me të vërtetë i çuditshëm i Christine dhe Walter Collins

  • 12 February 2016 - 13:13
Rasti me të vërtetë i çuditshëm i Christine dhe Walter Collins

I tërë kombi amerikan doli në mbështetje të nënës së pikëlluar dhe djalit të saj të zhdukur, derisa policia lokale shteri liqenin e afërt të parkut “Lincoln” dhe filloi një kampanjë mbarëkombëtare për ta gjetur Walterin.

Në një pasdite me diell të dhjetë marsit të vitit 1928, 9-vjeçari Walter Collins u zhduk në mënyrë të mistershme, pasi që e ëma e tij, Christine, që punonte si operatore telefonike, ia kishte dhënë ca para të imëta, që t’i harxhonte në kinemanë që gjendej aty afër shtëpisë së tyre, në Uashington. 

I tërë kombi doli në mbështetje të nënës së pikëlluar dhe djalit të saj të zhdukur, derisa policia lokale shteri liqenin e afërt të parkut “Lincoln” dhe filloi një kampanjë mbarëkombëtare për ta gjetur Walterin, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Ajo që dukej si rrëmbim i tij kishte ngjallur kujtimet e këqija të një rrëmbimi që kishte ndodhur vetëm tre muaj më parë. Në atë rast, vajza 12 vjeçe Marion Parker ishte rrëmbyer nga një psikopat me emrin William “Dhelpra” Hikman, te i cili, gjatë arrestimit, në veturë u gjet trupi i copëtuar i vogëlushes.

Image

Pa nam e nishan

Edhe pse pati disa pista të kërkimit të Walterit të vogël, të gjitha ato përfunduan pa dhënë asnjë rezultat. Thuhej se ai ishte parë në veri, deri në San Francisko dhe Okland. Një njeri kishte thënë ta kishte parë djaloshin në pompën e benzinës në Glendejl, në ulësen e pasme të një veture, të mbështjellë vetëm me gazeta. Burimi thoshte se pronari i veturës ishte një njeri me theks të huaj, me gjasë italian, i cili shoqërohej nga një grua.

I ati i djalit, Walter J.S. Collins, i cili gjendej në burg, i dënuar për plaçkitje, mendonte se ish të burgosurit e tjerë, në shenjë hakmarrjeje, ia kishin rrëmbyer djalin, edhe pse ai nuk kishte asnjë dëshmi për këtë.

Image

Gjendet djali... i gabuar!

Policia vazhdoi kërkimet deri në muajin gusht, kur një djalë i cili pretendonte se ishte Walteri, u paraqit te autoritetet e Ilinoit. Christine Collins pagoi 70 dollarë të shpenzimeve të udhëtimit, në mënyrë që djali të kthehej në shtëpi, në Los Angeles. Kur djali mbërriti, Collins tha se, përkundër faktit se djali i ngjante birit të saj, ai nuk ishte ai, nuk ishte Walteri i saj. Por, policia e Los Anxhelesit, e cila gjendej nën një presion tepër të madh për ta gjetur këtë djalë, deklaroi se, pa marrë parasysh fjalët e nënës, djali i gjetur me të vërtetë ishte Walteri. Bile, si duket, në një moment edhe vetë zonja Collins u bind nga policia se djali ishte i saj, por tri javë më vonë, ajo u kthjell dhe e ktheu djalin në polici, duke thënë se definitivisht nuk ishte biri i saj,  transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Ende i zhdukur

Edhe pse të dhënat nga kartela e dhëmbëve të djalit të saj nuk përputheshin me gjendjen e dhëmbëve të djalit që pretendonte të ishte Walteri, si dhe përkundër dëshmive të disa shokëve të birit të saj se djali i “gjetur” nuk ishte shoku i tyre, zonja Collins e kishte të pamundur që ta bindte kapitenin e policisë J.J. Jones, i cili merrej me hetimin e rrëmbimit të Walterit, se ai djalë nuk ishte Walteri i vërtetë. Ai e dërgoi gruan e shkretë që ta bënte një vlerësim në psikiatri, por në ndërkohë djali i gjetur tregoi se ishte duke gënjyer. Ai tha se emri i tij i vërtetë ishte Arthur Hutchins dhe se ishte nga Ajova. Atij i kishte vdekur nëna dhe ishte duke jetuar me një njerkë të keqe dhe me babanë e tij, para se të ikte nga shtëpia. Kur të tjerët i kishin thënë se ai ngjante shumë me djalin e zhdukur, Arthur kishte vendosur ta shfrytëzonte këtë mundësi që i ofrohej, për ta parë Hollivudin falas.

Kështu, djaloshi i zhdukur nuk u gjet kurrë. As sot e kësaj dite nuk dihet çka ndodhi me të. 

(Kosova Sot)