description

Bisedimet fillojnë nesër

Publikuar: E marte 21 Shkurt 2012, 18:03 0 Komente

Burime të Bashkimit Evropian në Bruksel thonë se sipas të gjitha gjasave, raundi i paraparë për të martën në dialogun Kosovë – Serbi, do të mbahet të mërkurën, meqë delegacioni i Kosovës ende nuk ka arritur në Bruksel. Raportohet se ishte anuluar një fluturim nga Vjena për në Bruksel, me të cilin është dashur të udhëtojnë anëtarët e delegacionit të Kosovës, transmeton REL. Në Bruksel të martën është dashur të fillojë raundi i parë i dialogut Kosovë – Serbi, këtë vit, por delegacioni i Kosovës ishte vonuar. Ky dialog ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Robert Kuper, i cili deklaroi se në agjendë të takimit ishin dy çështje: bashkëpunimi rajonal dhe implementimi i marrëveshjeve që tashmë janë arritur.

Shefe e delegacionit të Kosovës në këtë dialog është Edita Tahiri, ndërsa delegacionin e Serbisë e udhëheq, Borisllav Stefanoviq. “Nuk e dimë se cili është shkaku i vërtetë, me gjasë kanë konsultime shtesë”, tha Stefanoviq më herët gjatë ditës dhe shtoi se delegacioni serb “është i gatshëm për marrëveshje”. Ndërmjetësi evropian në proces, Robert Kuper, ka bërë publike çështjet që do të diskutohen. Sipas tij, bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundet e mëhershme. E para ka qenë edhe shkaku i ndërprerjes së bisedimeve për disa muaj, pasi palët nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje për përfaqësimin e Kosovës në forumet dhe nismat rajonale. Përderisa Prishtina ka kërkuar përfaqësimin e saj si shtet, Beogradi ka insistuar në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi janë pajtuar që Kosova të përfaqësohet me një fusnotë, ku figuron Rezoluta 1244, ndërsa krahas saj edhe Deklarata e Pavarësisë dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë – çfarë ka nxitur edhe reagimin kundërshtues të opozitës kosovare. Shteti serb ka përsëritur se 1244-shi i OKB-së dhe mendimi i GJND-së janë të pranueshëm, por pa iu referuar Deklaratës së Pavarësisë. Ndërmjetësi evropian, Robert Kuper, ka theksuar rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal, duke thënë se një gjë e tillë është ekstremisht e rëndësishme.

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve