description

EULEX-i jep shifra, jo emra

Publikuar: E marte 7 Shtator 2010, 9:03 1 Komente

Misioni i EULEX-it është duke vazhduar me procedimin e hetimeve të rasteve të paraqitura për korrupsion. Kështu kanë theksuar zyrtarë të misionit për "Kosova Sot", duke thënë se janë një numër rastesh të rënda të cilat aktualisht po hetohen. Përfaqësues të EULEX-it qysh muajin e kaluar kanë paralajmëruar arrestime lidhur me disa nga rastet. Një nga zëdhënëset e EULEX-it, Kristina Herodes, rikujtoi se disa hetime në vazhdim kanë arritur fazën finale kur janë bërë publike, duke përmendur këtu hetimet e zhvilluara në disa institucione si Bankën Qendrore, hetimet lidhur me çështjet financiare dhe korrupsion që kanë të bëjnë me licencat në telekomunikim, pastaj hetimet në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikimit, hetimi në Ministrinë e Shëndetësisë. Hetimet nuk kanë lënë të paprekur edhe institucionin e gjyqësorit, ku pas mbledhjes së fakteve që kanë dalë në dritë një gjykatës i një gjykate të qarkut është dënuar për mitëmarrje. “Hetimet janë duke vazhduar në rastet e lartpërmendura dhe në një rast është shqiptuar dënimi i shkallë së parë”, tha znj. Herodes. Misioni i EULEX-it është duke zhvilluar në disa pista hetime lidhur me fijet e korrupsionit. Por ata rikujtojnë se ky mision nuk është institucioni i vetëm në Kosovë që heton korrupsionin. Sipas ligjeve të Kosovës, rastet e korrupsionit hetohen në përgjithësi nga prokurorët dhe gjyqtarët në nivelin e gjykatave komunale. Lidhur me hetimin e rasteve të korrupsionit ka pasur deklarata të bujshme që kanë nxitur debate në opinionin publik dhe analitik, veçmas mes mazhorancës dhe opozitës. Gjyqësori vazhdon të vërë në provë të gjitha rastet e denoncuara. “Një arrestim gjatë hetimit është vetëm masa e fundit e mundshme. Gjyqtari nuk lëshon urdhërarrest përveç nëse nuk është absolutisht e domosdoshme për të pritur deri te procesi kryesor gjyqësor”, tha Herodes. Ajo më tej është shprehur me gjuhë shifrash për rastet që janë në hetime. “Prokurorët e EULEX-it në nivel e gjykatave të qarkut janë të përfshirë në 55 raste që kanë lidhje me hetimet për korrupsion”, tha Herodes. Prokuroria Speciale është duke u marrë me 193 raste, prej të cilave 73 kanë të bëjnë me korrupsion, ndërsa 38 prej tyre janë raste të profilit të lartë. Aktualisht 41 raste të krimit të organizuar janë në proces gjyqësor, 3 raste janë në procesin kryesor, kurse 3 dënime janë shqiptuar për raste të krimit të organizuar. Për më tepër gjyqtarët e EULEX-it kanë marrë vendime në katër raste të korrupsionit.

Printo Dërgo
  • di

Komente


  • Luli,Norvegji 07.09.2010 - 9:39

    Jam mesues me profesion dhe pas perfundimit te luftes pata fatin te dal ne Norvegji ku jetoj me familje.Percjell qdo dite qdo gje qe ndodh ne Kosove dhe, jam i shqetesuar me ato qka lexoj neper gazeta, fal internetit.Bej pune fizike,por paguhem mire.Punova mesues dhe dhashe sa munda kontribut per te nbajtur gjalle arsimin shqip.Korrupsion? Po te kisha forcen e pushtetit,do te beja verifikim e pasurise se politikaneve qe gojen e kane plot patriotizem.Ata qe kane shkel vijen e kuqe,shkurt kane keqperdor kur populli vuan per buke dhe jeton si ne Afrike,kurre sdo ti leshoja nga burgu deri sa te ngordhin si qen.Po ama rrota ecen ngadale, vitet shkojne siq na shkuan ne punetoreve te arsimit 1o vjet me nga 2o,4o,6o marka e deri te 1oo fale mergates shqiptare q e sot sperfillet fare,

arkivi i lajmeve