description

Fund pagave ?stratosferike? të bordeve

Publikuar: E hëne 6 Shtator 2010, 14:06 1 Komente

Kërkesa e vendosjes së rregullit dhe disiplinës në sistemin e pagave tek kategoria e bordeve të ndryshme nga ana e disa anëtarëve të kabinetit, është vlerësuar nga ana e anëtarëve të Kuvendit, të cilët jo rrallë herë kanë kërkuar në seancat plenare zbardhjen e pagave që kapin shifra alarmante në kushtet aktuale ekonomike. Ne mbledhjen e fundit të Qeverisë, ministri i Shëndetësisë Bujar Bukoshi dhe ministri i Brendshëm kanë hapur debatin rreth kësaj çështjeje, madje ky i fundit ka përmendur edhe disa raste të bordeve, si ai në Postë apo Trustin Pensional, ku pagat e kryesuesve arrijnë nga 4600 deri 5700 euro, plus bonuset që kanë. Ministri Rexhepi kërkoi që të vihet një limit i pagave të anëtarëve të bordit, pasi siç tha ai, kjo nuk bie ndesh me ligjin e tregut dhe ekonomisë dhe jo të bazohen në rregullore interne. Me kërkesë të anëtarëve të kabinetit është vendosur që në nga mbledhjet e ardhshme Ministria e Financave të raportojë mbi pagat e anëtarëve të kësaj kategorie.

 

 

Kurrë s’u dhanë informata

 

 

Anëtarë të komisionit parlamentar për buxhet kanë vlerësuar nismën për bërjen publike të pagave të anëtarëve të bordit, por njëherësh ata kanë hedhur dyshim për vendosjen e rregullit financiar. Anëtari i komisionit për financa, Shkumbin Demaliaj tha se Qeveria në kohë të vonuar e ka marrë këtë obligim të vetin të detyrueshëm për mundësitë e interferimit të saj brenda pagave apo buxheteve të brendshme të bordeve që janë në të gjitha mekanizmat, sidomos ato që mbikëqyrin kompanitë publike në Kosovë. “Asnjëri nga bordet nuk ka paga të njëjta dhe asnjëherë para Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës nuk janë paraqitur shumat e këtyre pagave”, ka thënë Demaliaj. Sipas tij, buxhetet gjithmonë janë miratuar në total e ku janë përfshirë edhe kërkesat e bordeve. “Asnjëherë nuk është raportuar para komisionit rreth pagave të bordeve ku në një pjesë të madhe në përbërje të tyre ka pasur edhe nga një ndërkombëtarë, ashtu siç është paraparë edhe me Pakon e Ahtisarit”, tha ai duke përmendur këtu bordin e Trustit Pensional për të cilën asnjëherë nuk janë dhënë informata. Ai më tej tha, se edhe në ART dy vite e gjysmë stafi i saj me afat të skaduar ka marrë paga.

 

Në borde, partizanët e partive

 

Ndërsa, deputeti Riza Smaka, i cili në vazhdimësi ka kërkuar debat për këtë çështje, thotë se ideja për hapjen e kësaj çështjeje është më se e qëlluar, pasi ka të bëjë me një situatë të pandërgjegjshme dhe të paligjshme. Ai kritikoi që në këto borde janë përfshirë partizanë të partive dhe jo profesionistë, ndërsa të qenit anëtar të bordeve ai e quajti si privilegjin më të madh. “Kjo për faktin se aty veç pagave kanë benifite të ndryshme dhe palogjikshme që nuk aplikohen askund. Në rrethanat e tilla është e paparamendueshme pagat nga 2000 deri 5000 euro”, tha Smakaj. Ndërsa ka përshëndetur nismën për zbardhjen e listës së pagave dhe vendosjes së rregullit, Smakaj ka hedhur dyshimin që kësaj çështjeje t’i vihet kapaku. “Nuk besoj se do të vendoset kjo çështje dhe kjo mund të zvarritet edhe një vit dhe më tepër, pasi mund të jetë marketing politik”, tha ai. Sipas planit buxhetor tremujor të këtij viti, vetëm Autoriteti Rregullativ për Telekomunikim, në emër të pagave ka paraparë më shumë se 248 mijë eurosh, apo 21 për qind më shumë se vitin e kaluar, ai për energji mbi 397 mijë apo 18 për qind më shumë, shërbimi rregullator për ujëra dhe hedhurina mbi 155 mijë, ai për aviacion mbi 425 mijë apo 17 për qind më shumë.

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


  • Qytetari 06.09.2010 - 19:02

    Drejtoresha e TERMOKOSIT Fëllenza Pula merrë pagen mbi 5,000.00? në muaj.Dihet se kjo ndermarrje financohet nga buxheti i Kosovës.

arkivi i lajmeve