description

Gati për regjistrim

Publikuar: E shtune 4 Shtator 2010, 13:35 0 Komente

Procesi i përgatitjeve teknike për regjistrimin e popullsisë dhe të ekonomive familjare, që pritet të zhvillohet në pranverën e vitit 2011, është në kulmin e përgatitjeve. Në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës është renditur për miratim edhe një nga ligjet bazike për zbatimin e këtij projekti, ndër më kapitalët pas pavarësisë së Kosovës, Projektligji për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Në MAP i kanë deklaruar gazetës së i gjithë projekti tashmë është i kompletuar dhe i pajisur me të gjitha standardet për realizim praktik. “Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë po përmbyllin gjithë përgatitjet e nevojshme për një regjistrim të popullsisë të suksesshëm dhe konform standardeve ndërkombëtare. Teknikisht tashmë gjithçka është e gatshme nga ana e Entit të Statistikave të Kosovës, që është Agjenci në kuadër të Ministrisë së Administratës Publik. Bazuar në vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave do të realizohet nga 1-15 prill 2011”, tha ministrja e MAP-së, Edita Tahiri. Ajo ka sqaruar për gazetën “Kosova Sot” se tashmë është siguruar edhe korniza e nevojshme buxhetore për këtë projekt, i cili do ta ketë një mbështetje edhe nga donator ndërkombëtar. “Kostoja e realizimit të regjistrimit të popullsisë është llogaritur të jetë përafërsisht 11 milionë euro. Tashmë ekziston një Memorandum Mirëkuptimi mes Ministrisë së Administratës Publike, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë për krijimin e Fondit të Mirëbesimit, përmes të cilit UNOPS do të menaxhojë me mjetet e financiare, që do të mbulojnë regjistrimin e popullsisë”, tha Tahiri.“Institucionet vendore do të mbulojnë përafërsisht 40 % nga vlera e përgjithshme e mjeteve që do të mbulojnë regjistrimin e popullsisë dhe këto mjete tashme janë ndarë, ndërkaq pjesa tjetër do të thotë përafërsisht 60 % do të sigurohen nga donatorët që do mbështesin këtë proces. Gjithashtu, edhe nga donatorët tashmë janë siguruar një pjesë nga ky 60 %”, tha kreu i MAP-it, Edita Tahiri.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve