description

Jahjaga dekreton së shpejti Këshillin Antikorrupsion

Publikuar: E premte 10 Shkurt 2012, 9:19 0 Komente

Zotimi i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për të themeluar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit pritet të bëhet realitet së shpejti. Ky këshill, i cili ka për qëllim luftimin e korrupsionit në vendin tonë, do të përbëhet nga të gjitha institucionet për luftimin e korrupsionit. Por, këto institucione mohojnë që kanë marrë ftesë zyrtare këto ditë nga presidentja për të qenë pjesë e këtij këshilli. Këshilltarja politike për çështje juridike e presidencës së Kosovës, Ariana Qosja – Mustafa, ka thënë se presidentja Jahjaga ka marrë vendim që të nënshkruajë dekretin për themelimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit. “Presidentja gjatë këtyre ditëve e nënshkruan dekretin për themelimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit. Mbledhja e parë e Këshillit do të thirret brenda pak ditësh”, ka thënë Qosja-Mustafa. Ajo, ndër të tjera, ka treguar se pjesë e këtij këshilli do të jenë të gjitha institucionet që kanë për qëllim luftimin e korrupsionit në vendin tonë. “Të gjitha institucionet e mandatuara për luftimin e korrupsionit, përfshirë nivelin ekzekutiv, legjislativ, si dhe agjencitë e pavarura”, ka deklaruar Qosja - Mustafa. Mirëpo, edhe pse presidentja Jahjaga gjatë këtyre ditëve do të mbajë mbledhjen e parë të Këshillit, institucionet relevante për luftimin e kësaj dukurie negative, si Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Agjencia Kundër Korrupsionit, nuk kanë marrë ftesë zyrtarë për të qenë pjesë e këtij këshilli.

Presidentja Atifete Jahjaga në dhjetor të vitit të kaluar pati premtuar themelimin e Këshillit Kundër Korrupsionit. Tashmë dihet se iniciativa e Presidentes nuk është e para në luftimin e korrupsionit si dukuri negative në vend. Kryeministri Thaçi, para dy vjetësh, e pati krijuar Task Forcën kundër korrupsionit, por nuk rezultoi edhe aq efektive.

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve