description

Kamishi:”Faktet” ia kam dorëzuar Florin Krasniqit

Publikuar: E enjte 9 Shkurt 2012, 12:55 0 Komente

(I plotësuar) Prishtinë -

Deputeti  i PDK-së, Bekim Haxhiu, nuk e ka mbajtur premtimin që e ka dhënë, se pas datës 8 shkurt do t’i bëjë publike faktet që i ka për lidhjet e fshehta të Albin Kurtit me strukturat kriminale të pushtetit serb. Në konferencën e djeshme për shtyp ai foli më shumë për  nofkën “Kamishi”, për të cilën tha se shokët e tij të luftës ia kanë vënë gjatë qëndrimit të tij në zonën e Dukagjinit si ushtar i UÇK-së. Ai tha se faktet mund të vihen në dispozicion të medieve nëpërmes rrugëve ligjore, ose nëse dëshiron t’i bëjë publike vetë kryetari i Komisionit të AKI-së, Florin Krasniqi, për të cilin janë dorëzuar. “I mbetet Florin Krasniqit, nëse dëshiron, t’i publikojë të gjitha faktet për takimet dhe korrespodencat e Kurtit me strukturat serbe. Faktet e tjera, bashkë me dëshmitarët, jam i gatshëm t’i paraqes në gjykatë apo në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë”, tha Haxhiu. Ai komentoi edhe për ish-kreun e SHIK-ut. “Kadri Veseli ka qenë person përgjegjës për atë punë, e Albin Kurti në këtë kohë ka ngritur shumë dilema dhe ka dëmtuar kufijtë e Kosovës, prandaj unë kërkova që ai të sqarohet. Nuk e kam pasur qëllimin për ta gjykuar as për ta linçuar, përkundër asaj që ka pasur tentativa që për shkak që e kam ngritur këtë çështje për z, Kurti dhe personin i cili thirret në bashkimin kombëtar, ndërsa korrespondencat dhe takimet me serbët i mban të fshehura. Është çështje e Kurtit të tregojë për këto, kanë qenë për të marrë informacione nga serbët, le të deklarohet z. Kurti, a i ka pasur për shërbimin e tij informativ apo për çfarë qëllimesh i ka mbajtur”, tha të enjten deputeti Haxhiu. Pas konferencës për medie të deputetit Haxhiu, Zyra për Informim e Kuvendit ka refuzuar të sigurojë qasje në dokumentin e dorëzuar në Kuvend, por pasdite në portalet e ndryshme u publikua letra në fjalë.

Letra e “Kamishit”

“Albin Kurti, në muajin janar 2004 ka mbajtur takim me struktura kriminale të Serbisë. Takimi është mbajtur në fshatin Binxhë, Komuna e Klinës, në shtëpinë e familjes Donqiq (Boba e Golub Donqiq), të dy pjesëtarë të strukturave kriminale të Serbisë. Boban Donqiq, kapiten i ushtrisë së Serbisë, ndërsa Golub Donqiq, pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë (BIA). Policia e Kosovës i kishte ndaluar ata në makinën ‘Golf’, në të cilën ndodheshin: Dardan Velija e Golub Donqiq ulur përpara, ndërsa Jellena Bjellica, Vlora Bajqinovc dhe Albin Kurti ulur prapa, Albin Kurti ishte i mbuluar me qebe. Takimi është mbajtur në shtëpinë e vëllezërve Donqiq, ku ishte prezent edhe Misha Villotiq, person në hierarki të lartë në Sigurimin Shtetëror Serb (BIA), në takim ishte edhe Boban Donqiq kapiten i ushtrisë serbe. Albin Kurti duhet të sqarojë qëllimin e këtij takimi”, thuhet në letrën e Haxhiut. “Duke pasur parasysh se në opinionin publik është tentuar të manipulohet me faktin e përmendjes së një afere intime të Albin Kurtit me një femër serbe, edhe pse unë kam dyshime se kjo femër serbe pikërisht ka qenë një ish pjesëtare e Sigurimit Shtetëror Serb (BIA), unë do të përmbahem nga përmendja e emrit. Nëse shkojmë në gjykatë do ta jap emrin e saj”, vazhdon pika 2 e letrës. “Si deputet i Parlamentit të Kosovës dhe anëtar i Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, përmes postës sime, kam marrë një kërkesë për takim me një person, i cili më ka njoftuar se derisa ai po udhëtonte me autobusin Beograd-Prishtinë, më datë 28.09.2011, ka parë t’i jetë dërguar një zarf Albin Kurtit nga një person - femër, të cilën dëshmitari e njeh shumë mirë dhe ajo është Lidija Sokoloviq, vajza e Zoran Sokoloviqit, ish-ministër në kohën e Millosheviqit. Sipas dëshmitarit, zarfi i dërguar nga Beogradi në Prishtinë është pranuar nga Dardan Molliqaj dhe dy persona të tjerë, të cilët kanë qëndruar në veturë para hyrjes në stacion të autobusëve në Prishtinë”.

Lideri i VV-së nuk komenton

Albin Kurti nuk i ka komentuar deklaratat e deputetit Bekim Haxhiu, ndërsa “Vetëvendosje” e ka quajtur shpifje dhe shantazh ultimatumin e deputetit të PDK-së.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve