description

Katari njeh Kosovën, pritet vetëm formalizimi i vendimit

Publikuar: E marte 7 Shtator 2010, 0:01 2 Komente

E plotësuar- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se i është konfirmuar njohja e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Katari. Thaçi ka thënë se konfirmimin e ka marrë nga kryeministri dhe princi i këtij vendi, të cilët i kanë thënë se çështja e njohjes së pavarësisë është e kryer, ndërsa tani vetëm pritet që kjo çështje të formalizohet sipas procedurave që ka Katari.

Në një njoftim të Zyrës për informim të Kryeministrisë thuhet se në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Katar, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u prit nga Princi i Katarit, Tamim Bin Hamad Al Thani. Kryeministri Thaçi e falënderoi Princin Al Thani për ndihmën që Katari i ka dhënë shtetit dhe popullit të Kosovës në vazhdimësi dhe veçanërisht për mbështetjen gjatë procesit të anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Kryeministri Thaçi e njoftoi Princin Al Thani për arritjet e shtetit të Kosovës dhe për hapat që ka ndërmarrë Qeveria për zhvillimin e vendit. Princi Al Thani e falënderoi kryeministrin Thaçi për vizitën ne Katar dhe i konfirmoi atij se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Katari më tutje nuk është çështje e hapur, është një punë e përmbyllur dhe se pritet vetëm formalizimi i vendimit. “Ne e njohim dhe e respektojmë vullnetin e popullit të Kosovës. Ftesa jonë për ju dhe takimi ynë i sontëm është shprehje e vullnetit tonë për të njohur Kosovën dhe shënon fillimin e një kapitulli të veçantë në marrëdhëniet e dy popujve tanë miq”, u shpreh Princi Al Thani. Kryeministri Thaçi dhe Princi Al Thani u pajtuan për thellimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore, me theks të veçantë në marrëdhëniet ekonomike. Kryeministri Thaçi e njoftoi Princin Al Thani për projektet e mëdha në fushën e zhvillimit ekonomik dhe i ftoi investitorët potencialë nga Katari që të jenë prezent në Kosovë. Princi Al Thani i premtoi Kryeministrit Thaçi se së shpejti do të dërgojë një ekip zyrtar në Kosovë për të shqyrtuar mundësitë më të mira për investime në Kosovë. Kryeministri i Katarit, i cili është njëkohësisht edhe Ministër i Punëve të Jashtme, Sheikh Hamad Bin Jassim Bin Jabr Al-Thani shtroi një darkë pune për nder të kryeministrit Thaçi. Gjatë takimit, u rikonfirmua qëndrimi i Katarit në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe për thellimin e marrëdhënieve bilateral ndërmjet dy shteteve. Kryeministri Thaçi e ftoi për një vizitë zyrtare në Kosovë Emirin Al Thani dhe Kryeministrin Hamad Bin Jassam Al Thani.

Kryeministri Hashim Thaçi nga Katari do të udhëtojë në drejtim të Nju Jorkut, ku bashkë me Presidentin Fatmir Sejdiu do të udhëheqin delegacionin shtetëror të Kosovës në kuadër të angazhimeve për njohje të reja të shtetit të Kosovës, në prag të diskutimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


  • naski 07.09.2010 - 23:34

    Te lum shoku kryeminister te gjith Kosovaret rrin te qet .E kemi kuptuar ter populli kosovar se ju jeni shum i aft per detyren qe e keni ,Dhe ju jeni qe keni luftuar i keni dhen grusht te madh armikut pra Serbis dhe armikut te mrenshum si me luft ashtu edhe me politik .Vetum vazhdoni keshtu ter Kosova esht me juve te lum Z . Hashim Thaqi

  • erza 07.09.2010 - 13:50

    hashim thaqi eshte nje njeri i cili punon shume per kosoven edhe shtetet tjera duke e percjellur se ky njeri din te ban shume per vendin e vet dhe qe e qmon shume,te gjitha gradualishte do ta njohin kosoven edhe ate shume me zemer gjersi,ky njeri eshte i mrekullushem h.sh.

arkivi i lajmeve