description

Keq me ligje

Publikuar: E shtune 4 Shkurt 2012, 20:57 0 Komente

Fakti që Kosova është një shtet i ri në ndërtim, njëkohësisht edhe shtet që kalon një periudhë të përshpejtuar të tranzicionit, ka bërë që në aspektin e ndërtimit dhe kompletimit të përshpejtuar të kornizës ligjore, për funksionalizimin e mirëfilltë të funksionimit normal të shtetit në shumë segmente të rëndësishme, të shënohen vonesa dhe stërzgjatje që kanë për pasojë krijimin e institucioneve jofunksionale. Këtë fakt e pranojnë edhe anëtarë të komisioneve të ndryshme të Kuvendit të Kosovës që kanë përvojë në fushën e ligjvënies, por edhe vëzhgues e monitorues të pavarur nga shoqëria civile.

 

“Na duhen edhe disa vjet”

 

Nënkryetari i Komisionit të ligjeve, Behar Selimi, thotë se Kosova akoma nuk e ka të ndërtuar një sistem komplet të së drejtës nacionale. “E drejta e Kosovës në kuptimin juridik akoma është duke u krijuar dhe për këtë na duhen edhe disa vjet për ta stabilizuar apo konsoliduar këtë të drejtë, që të mund të themi se ja kjo është e drejta nacionale e Kosovës që duhet të jetë gjithsesi në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe posaçërisht me atë të Evropës kontinentale meqë synojmë që të jemi edhe pjesë e saj”, tha nënkryetari i Komisionit të ligjeve, Behar Selimi. Ndryshe ai thotë se marrja e modeleve të ndryshme të legjislacionit për ta përshtatur në vendin tonë ndikon që në faza të caktuara mospërputhja e tij me sistemin vendor të ndikojë në rishikimin e ligjeve deri në stabilizimin e plotë të sistemit.

 

“Është e vërtetë që neve na vijnë shpesh ligje në rishikim, në vazhdimësi, madje edhe për herë të dytë dhe të tretë, mirëpo ne duhet ta kuptojmë që ne jemi një vend në tranzicion e sipër, që nuk kemi trashëguar legjislacion, jemi në përpjekje të hartimit të legjislacionit që është në harmoni me direktivat e BE-së, kështu që është e natyrshme dhe e logjikshme që vijnë ligjet në rishikim”, tha Safete Hadërgjonaj, kryetare e Komisionit të buxhetit në Kuvendin e Kosovës, komision i cili ekskluzivisht merret me analizën e kostos së zbatimit të ligjeve, si një nga segmentet kryesore të vënies së ligjeve në funksion të plotë. Mirëpo Hadërgjonaj thotë se edhe vetë dinamika e zhvillimit ekonomik dhe strukturor të institucioneve të reja të Kosovës shpesh imponon që në disa ligje të bëhen ndryshime të detyrueshme, pavarësisht se sa kanë qenë ato të hartuara në aspektin profesional dhe të përkryera. “Janë disa ligje që detyrimisht kërkojnë ndryshim të kohëpaskohshëm, dhe këtu kemi të bëjmë kryesisht me ligjet të cilat kanë të bëjnë me sferën e financave, këto kërkojnë ndryshime sepse ne dita ditës shkojmë duke bërë përpjekje për përmirësimin e politikave fiskale”, tha deputetja Hadërgjonaj. Ajo thotë se në praktikën parlamentare nuk mund të vlerësohet ngecje në procesin ligjvënës rishikimi i ligjeve të vjetra, edhe pse aktualisht në komisionin që drejton ajo nga 9 projektligjet në procedurë katër projektligje janë krejtësisht të reja, kurse pesë të tjera ligje të vjetra që i nënshtrohen procedurës së rishikimit.

 

 

Ligjet të punohen pa nxitim

 

Edhe deputeti Sadri Ferati, ish-ministër në mandatin e kaluar dhe tash anëtar i Komisionit për administrimin e pushtetit lokal, tha se pikërisht fazat e ndryshme nëpër të cilat po kalon ndërtimi i institucioneve të Kosovës po ndikojnë që të ketë vonesë në kompletimin e qëndrueshme të kornizës ligjore të shtetit, pasi varësisht nga cila fazë burojnë ligjet dhe kalimi në tranzicionin tjerët, kërkon edhe ndërhyrje të re në ligjet e mandatit paraprak. “Në parim nuk ishte dashur të ndodhin këto rishikime të shpeshta që bëhen në ligjet e Kosovës, por ka disa rrethana objektive që determinojnë këtë proces, sikur që është kalimi nga rregulloret e UNMIK-ut në ligje, pastaj ligjet e pakos Ahtisari, që janë aprovuar me një shpejtësi shumë të madhe, por edhe ndonjë ligj i cili ndërlidhet me Raportin e progresit”, tha Sadri Ferati. Për të eliminuar këtë fenomen, në fazën që gjenden institucionet e Kosovës, deputetët kërkojnë nga sponsorizuesit e ligjeve që ligjet që janë krejtësisht të hartuara në fazën e pavarësisë së Kosovës të punohen më me kujdes, pa nxitim dhe me më shumë profesionalizëm, në mënyrë që të mos i vuajmë pasojat e së kaluarës me ligje të përkohshme që duhet të riparohen.

Kopjimi i keq i ligjeve

 

Mirëpo Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës fajëson edhe institucionet vendore për përgjegjësinë që kanë në hartimin e ligjeve që nuk janë shumë të përkryera dhe rishikohen shpesh. “Institucionet e Kosovës ( Qeveria dhe Kuvendi) të cilat janë përgjegjëse për procesin e ligjbërjes vazhdimisht kanë dëshmuar që akoma nuk kanë staf profesional adekuat për t'i normuar nevojat e qytetarëve dhe shoqërisë në përgjithësi. Kopjimi shpeshherë i "keq" i ligjeve nga vendet e rajonit duke mos ia përshtatur rrethanave dhe mentalitetit të shoqërisë kosovare në shumë raste i bën ligjet të paimplementueshme dhe si rrjedhojë nxjerr nevojën e plotësimit dhe amendamentimit të shpeshtë të tyre”, thotë ai.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve