description

Kosova po përballet me temperatura të ulëta

Publikuar: E hëne 6 Shkurt 2012, 10:36 0 Komente

Kosova po përballet me mot të keq, të shoqëruar me reshje bore dhe temperatura të ulëta. Disa komuna kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa FSK-ja është angazhuar në hapjen e rrugëve për t’i zhbllokuar ato. Dukagjini dhe Drenica janë dy rajonet që janë prekur gjatë ditës së djeshme më së shumti nga reshjet e borës. Si rrjedhojë e reshjeve të mëdha të borës, Peja dhe Juniku kanë shpall gjendje të jashtëzakonshme.

Në komunën e Pejës vazhdon të mbretërojë gjendje e jashtëzakonshme, pasi janë të mobilizuara të gjitha segmentet e pushtetit lokal. Kryetari i komunës së Pejës, njëherësh dhe kryetar i shtabit emergjent, Ali Berisha, në një konferencë për media, ka thënë se situata në komunën e Pejës është e rëndë nga të reshurat e mëdha të borës, trashësia e së cilës ka arritur deri në një metër. Shtabi emergjent sot ka kërkuar nga Policia që të angazhohet maksimalisht për heqjen e makinave në trotuare dhe atyre të parkuara në rrugë, të cilat po e pengojnë pastrimin e rrugëve dhe të trotuareve, po ashtu është apeluar që qytetarët dhe pronarët e lokaleve të angazhohen maksimalisht për pastrimin e trotuareve dhe hapësirave rrugore para shtëpive dhe lokaleve të tyre . Ndërkaq, rruga Pejë-Kullë-Rozhajë vazhdon të jetë e mbyllur.

Reshjet e borës në komunën e Gjakovës kanë arritur trashësinë në rreth 70 centimetra dhe kjo ka shkaktuar probleme në trafik brenda qytetit, e në veçanti në drejtim të zonave rurale, ku disa fshatra, para dy ditësh, ishin plotësisht të izoluara. Agim Koci, kryetar i shtabit komunal të emergjencës në Gjakovë, ka thënë se “është evident një mobilizim i përgjithshëm në kompanitë “Çabrati” dhe “Viktoria Invest”, të cilat po bëjnë përpjekje për pastrimin e rrugëve në qytet dhe atyre në drejtim të zonave rurale. Mirëpo, për të qenë ky pastrim i rrugëve sa më efikas e duke pasur parasysh se reshjet e borës vazhdojnë, kemi angazhuar edhe kompanitë “Bala” dhe “Euro asfalt” dhe kjo ka dhënë efekte evidente”, ka shpjeguar Koci.

Reshjet e të borës, të përcjella me mot të ftohtë, e kanë vështirësuar tej mase qarkullimin e automjeteve në rrugët brenda qytetit të Mitrovicës, por edhe në rajonin e Shalës së Bajgores, ku sërish janë bllokuar shumë rrugë. Rruga magjistrale Mitrovicë-Prishtinë, përkatësisht aksi Mitrovicë-Vushtrri, nuk ishte pastruar si duhet dhe qarkullimi zhvillohet mbi shtresën e borës, e cila arrin deri 30 cm, për këtë rrugë përgjegjëse janë kompanitë e përzgjedhura nga ministria e transportit. Shumica e rrugëve në lokalitetet e Shalës së Bajgores, përkatësisht rrugët për lokalitete, janë vështirë të kalueshme, për të mos thënë të bllokuara në tërësi.

Institutit Meteorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se temperaturat do të shënojnë rënie gjatë javës. Nga mesi i javës ky institut parasheh temperatura që do të arrijnë nga minus 18 deri në minus 22 gradë celsius. “Gjatë gjithë këtyre ditëve të fundjavës, deri të mërkurën, moti nuk do të jetë stabil. Do të ketë reshje dhe ulje të temperaturave. Nata e mërkurë do të jetë më e ftohta e vitit, sepse parashihet që temperaturat të zbresin nga minus 18 deri në minus 22 gradë celsius në vendet kodrinore-malore. Kurse nga e enjtja do të ketë ndërprerje të reshjeve”, ka thënë drejtori i Institutit Hidrometeorologjik, Sylë Tahirsylaj.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve