description

Kuvendi nderon Nënën Terezë

Publikuar: E enjte 2 Shtator 2010, 20:11 0 Komente

Kuvendi i Republikës së Kosovës, me një seancë të shkurtër solemne, u është bashkuar të enjten aktiviteteve që po zhvillohen në rrafshin kombëtar shqiptar, në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë, për shënimin e 100 vjetorit të lindjes së humanistes së madhe shqiptare, Nënë Terezës, në këtë vit të shpallur si vit i saj. Deputetëve të Kuvendit me një fjalë rasti u është drejtuar vetë kreu i legjislativit, i cili çmoi lart kontributin humanitar në mbarë botën të humanistes shqiptare dhe figurën e saj afirmative që shembi të gjitha barrierat në botë më gjestin e saj human ndaj njerëzimit. “Nëna dhe motra jonë u bë dhe do të mbetet nëna e të gjithëve në hapësirën tonë tokësore e qiellore. Kjo është mrekulli, është shenjtëri, është histori që s’është parë as dëgjuar kurrë. Është një fenomen, prej të cilit përfitoi e krenohet mbarë njerëzimi, të varfrit dhe të pasurit, të mëdhenjtë dhe të vegjlit, të lirët dhe të robëruarit, të ngopurit dhe të uriturit, të shëndoshët dhe të sëmurët, të privilegjuarit dhe të përjashtuarit, besimtarët dhe jobesimtarët. Për secilin njeri, në katër anët e globit, është pasqyrë për njerëzi, për mirësi”, tha kryeparlamentari Krasniqi. Kreu i legjislativit ua kujtoi deputetëve se këto manifestime në vend po organizohen nga presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, i cili vitin 2010 e ka shpallur si vit të Nënë Terezës dhe me këto manifestime, sipas kryeparlamentarit Krasniqi, Kosova po i bashkohet pothuajse të gjitha vendeve të botës, të cilat me aktivitete dhe manifestime të ndryshme po shënojnë këtë vit jubilar të lindjes së humanistes së madhe shqiptare.

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve