description

Ligji i Qeverisë për interesa të ngushta të koalicionit

Publikuar: E shtune 4 Shkurt 2012, 20:50 0 Komente

Ligji për Qeverinë e Kosovës nuk është miratuar nga Kuvendi për shkak se ka punuar për interesa të ngushta të koalicionit dhe ngarkues për buxhetin e vendit. Qeveria e Kosovës është vlerësuar e papërgjegjshme sa i përket përmbushjes së detyrave dhe kompetencave për ndryshimin e Ligjit të saj. Ndërkaq, përfaqësuesit e Institutit GAP kanë thënë se nuk janë ndarë të kënaqur me përmbajtjen e Projektligjit për Qeverinë, pasi që ka parë shumë mungesa ligjore, që sipas tyre duhet të plotësohen.

 

Në dëm të buxhetit të Kosovës

Anëtari i Komisionit për Legjislacion nga LDK-ja, Armend Zemaj ka thënë se Qeveria e Kosovës është e papërgjegjshme në ripërpunimin e Projektligjit, ndërsa duke adresuar kritika të ashpra, duke thënë se kjo qeveri është e vetmja në Evropë që nuk ka ligjin e saj.

“Nuk është një neglizhencë e Qeverisë për rregullimin e këtij ligji, por një papërgjegjësi e tyre që nuk dëshiron t’i kryej detyrat dhe kompetencat me një ligj siç e kanë të gjitha qeveritë e botës. Është qeveria e vetme në Evropë, e cila nuk ka ligj të saj”, ka thënë Zemaj.

Mosmiratimi i Projektligjit të Qeverisë nga ana e Kuvendit të Kosovës, Zemaj e sheh si të arsyeshme, pasi që siç thotë ky, ka qenë një ligj i keq, që e ka punuar vetë Qeveria për interesa të koalicionit dhe ka qenë i dëmshëm për buxhetin e Kosovës.

Zemaj ndër tjerash ka thënë se Projektligji i Qeverisë nuk i shërbente këtij institucioni që të jetë efikas dhe me synim të zhvillimit të vendit.

“Pra, nuk është një projektligj, i cili do të shërbejë për një Qeveri që është efikase dhe i cili punon për zhvillimin e vendit. Pra, kërkesa jonë ka qenë që ai ligj të kthehet dhe të ripunohet dhe vërejtjet që janë thënë në seancën plenare të Kuvendit të marren parasysh, por siç duket tash, Qeveria jonë nuk po punon t’i rregullojë këto çështje dhe për këtë arsye nuk është futur dhe rikthyer në seancë plenare”, ka theksuar ai.

Zemaj ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mund ta ripërpunojë Projektligjin e saj për shkak se aty është një ngarkesë e madhe, që është bërë me zëvendësministra dhe kabinetin qeveritar.

“Nuk mundet Qeveria e Kosovës ta ripërpunojë këtë ligj, sepse aty ekziston një ngarkesë që është bërë, p.sh. ka ministri që i ka nga 3-4 zëvendësministra, është një kabinet qeveritar, që është tejet i madh, i cili nuk ka shans të përmirësohet me një ligj. Ne nuk besojmë që në këtë situatë siç është tani, duke funksionuar mund të jetë një ligj ashtu siç i ka hije një qeverie demokratike të një vendi”, ka thënë Zemaj.

 

Ende me rregullore

të UNMIK-ut

Ndërsa, ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, duke mos dhënë më shumë detaje për mosmiratimin e Projektligjit për Qeverinë e Kosovës, ka thënë se ky ligj është në zyrën e kryeministrit dhe nuk është më në dorën e ministrisë që ai drejton. “Kuvendi i Kosovës javën e kaluar e ka kthyer Projektligjin për Qeverinë dhe tashmë ai nuk është në kompetencë të ministrisë, por është në zyrë të kryeministrit”, ka thënë ministri Jagxhillar. Kritika në Projektligjin e Qeverisë së Kosovës ka drejtuar edhe Instituti GAP, ku njëri nga drejtuesit e tij, Jeton Mehmeti ka thënë se ka parë zbrazësi ligjore, për të cilat kanë kërkuar të plotësohen.

“Edhe Instituti GAP nuk ka qenë i kënaqur me përmbajtjen e Projektligjit për Qeverinë. Andaj, kemi kërkuar që disa nga zbrazëtirat ligjore që duhet të plotësohen. Ligji për Qeverinë duhet të përmbajë numrin e saktë të ministrive dhe emërtimet e tyre. Gjithashtu, me ligj duhet të caktohet edhe numri më i madh i lejuar për postet e zëvendëskryeministrave dhe zëvendësministrave. Çdo ndryshim që bëhet në strukturën e Qeverisë pas miratimit të Ligjit të Qeverisë, duhet të merret pëlqimi i Kuvendit, përmes ndryshimit dhe plotësimit të ligjit. Pastaj, duhet të specifikohen detyrat dhe përgjegjësitë e Qeverisë në dorëheqje, si dhe të potencohen përgjegjësitë e anëtarëve të Qeverisë ndaj Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Mehmeti. Ai ka pohuar se Projektligji për Qeverinë e Kosovës nuk është dashur të kthehet nga Kuvendi, sepse është një ndër ligjet më urgjente.

“Ligji për Qeverinë është një nder ligjet më urgjente, që duhet të miratohet dhe kësaj radhe Kuvendi nuk është dashur t’ia kthejë projektligjin përsëri Qeverisë, por është dashur t’i bëjë ndryshimet e duhura dhe ta kalojë atë. Pasi që Kuvendi i Kosovës zgjedh Qeverinë, dhe kjo e fundit i nënshtrohet kontrollit parlamentar, është e arsyeshme që Kuvendi të vendosë edhe për strukturën e Qeverisë. Pasi që ky institucion zgjidhet nga Kuvendi, statusi i saj ligjor duhet të rregullohet me ligj të miratuar në Kuvend, dhe jo me akte nënligjore të miratuara nga vetë Qeveria”, ka thënë Mehmeti.

Drejtuesi i Institutit GAP ka deklaruar se është e padrejtë që edhe katër vite pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Qeveria të operojë në bazë të rregulloreve të UNMIK-ut.

“Nuk është e drejtë që Qeveria e Republikës së Kosovës, edhe katër vite pas shpalljes së Pavarësisë të operojë në bazë të rregulloreve të UNMIK-ut. Në këtë rast, Qeveria duhet të bëjë përpjekje që sa më parë ta dërgojë përsëri Projektligjin në Kuvend, duke inkorporuar edhe vërejtjet e Komisionit Parlamentar dhe ato të shoqërisë civile”, ka thënë Mehmeti.

Ndër tjerash, Mehmeti ka treguar se është hera e dytë që Kuvendi i Kosovës po e kthen mbrapa Projektligjin për Qeverinë.

Ndërkaq, me gjithë përpjekjet e gazetës “Kosova Sot” për të kontaktuar me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, këta të fundit, nuk kanë dashur të japin asnjë deklaratë për kthimin prapa të projektligjit të saj.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve