description

Mbetet neni 38, hiqet 37-ta

Publikuar: E premte 10 Shkurt 2012, 9:25 0 Komente

Pas debatit publik që është zhvilluar këtë javë për Kodin Penal të Kosovës, që është në procedurë parlamentare para leximit të dytë, grupi punues që po merret me shqyrtimin e tij e ka vazhduar punën me intensitet të pandërprerë. Obligimin që ka marrë nga Komisioni i ligjeve pritet ta përmbyllë në fillim të javës që vjen. Pavarësisht që në dëgjimin e parë publik ka pasur shumë rezistencë të disa anëtarëve të komisionit për nenet që implikojnë penalizmin e medieve, kërkesa e Qeverisë së Kosovës, e adresuar në formë zyrtare në komision që kjo çështje të mbetet e trajtuar me Ligjin për përgjegjësinë penale të personave juridikë, ka bërë që shumica e anëtarëve të komisionit dhe në grupin punues të ndryshojnë qëndrimet e tyre dhe të bëhet një riformulim progresiv i neneve të ashpra në projekt Kodin Penal, neni 37 dhe neni 38. Kryetari i grupit punues nga PDK-ja, deputeti Behar Selimi, i tha gazetës se vetë fakti që Qeveria e Kosovës ka treguar vullnet që të heqë dorë nga neni më me peshë që ka të bëjë me përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të drejtuesve të medieve, neni 37 dhe ia lehtëson në masë ta madhe komisionit amendamentimin dhe formulimin e nenit 38, në mënyrë që mediet të jenë krejtësisht të lira të hulumtojnë dhe ta publikojnë çdo informatë që është në interes të opinionit dhe të lirisë së fjalës, pavarësisht që në këtë fazë mendimet akoma janë bukur të ndara në disa segmente.

“Në grupin punues të cilin unë e drejtoj është debatuar shumë për këto dy nene dhe mendimet janë akoma të ndara. Është një mendim sipas të cilit duhet të hiqen ato nene dhe është një mendim tjetër sipas të cilit duhet të modifikohet neni 38, kurse neni 37 të hiqet fare. Te neni 38 është një mendim që të modifikohet dhe të lihet përgjegjësia për burimin e informacionit vetëm kur rrezikohet jeta e njeriut, por është edhe një mendim i tretë që të lihen ashtu sikur që janë me ndonjë artikulim dhe qartësim më të madh të përgjegjësive penale. Aktualisht këto janë mendime që qarkullojnë në grupin punues, mirëpo duke parë vullnetin e shumicës së anëtarëve të Komisionit për legjislacion, unë mendoj që do të ecë ideja e heqjes së nenit 37 dhe të riformulohet neni 38. Këto janë qëndrime që janë më të përafërta edhe me shoqatat e gazetarëve dhe me grupet e interesit nga shoqëria civile”, tha për “Kosova Sot” kryetari i grupit punues, Behar Selimi, që njëkohësisht është edhe nënkryetar i komisionit të ligjeve. Ai thotë se fshirja e plotë e nenit 37 dhe modifikimi i mirë i nenit 38 qartëson se ka përgjegjësi penale për burimin e informacionit vetëm kur vihet në pikëpyetje jeta e njeriut, kriter që parashihet në të gjitha praktikat ndërkombëtare. “Ky është edhe mendimi më dominant i shumicës së subjekteve politike në Komisionin për legjislacion”, tha Behar Selimi.

(Shkrimin e plotë mund të lexoni sot në “Kosova Sot”)

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve