description

Mërgata Shqiptare u shkruan letër ministrave evropianë

Publikuar: E enjte 9 Shkurt 2012, 18:44 0 Komente

Qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë ndërmarrë iniciativë që si banorë dhe taksapagues të këtyre vendeve të kërkojnë nga ministrat e jashtëm të këtyre shteteve që të mos përkrahet dhënia e statusit të vendit kandidat për Serbinë në mbledhjen e Këshillit Evropian në mars të këtij viti. Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mërgatë do të organizojnë të gjithë anëtarët dhe përkrahësit t’i drejtohen me letrën e mëposhtme ministrave të Punëve të Jashtme në vendet ku ata jetojnë, duke dhënë argumente e shembuj se si Serbia nuk ka ndryshuar në raport me Kosovën dhe si e tillë nuk është e aftë që të përafrohet me vlerat dhe politikat e Bashkimit Evropian. Që nga nesër, 10 shkurt 2012, do të fillojë dërgimi i letrës. “I nderuar ministër i Jashtëm, Ju drejtohem me respekt nëpërmjet kësaj letre për të kërkuar nga Qeveria juaj që të refuzojë kërkesën e Serbisë për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE derisa ajo t’i plotësojë kushtet për pranim në BE dhe derisa të demonstrojë përkushtimin e saj për parimet themeluese të Bashkimit Evropian. Unë besoj se Serbia është duke i shkelur këto kushte dhe parime nëpërmjet politikës armiqësore që po ndjek në Kosovë. Refuzimi i kërkesës së Serbisë është i nevojshëm për t’i inkurajuar reformat e vërteta brenda Serbisë. Duke vepruar në këtë mënyrë, Qeveria juaj do t’i mbronte interesat e popullit të Kosovës dhe të popullit të Serbisë, dhe do të bënte të mundur një paqe afatgjatë dhe përparim të qëndrueshëm në rajonin tonë”, thuhet në fillimin e kësaj letre. “Që nga viti 1999, udhëheqësit e Serbisë i kanë drejtuar dhe i kanë financuar strukturat ilegale shtetërore brenda Kosovës, të cilat e kanë penguar integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet dhe në shoqërinë e Kosovës. Strukturat ilegale të sigurimit serb kanë kryer krime kundër qytetarëve të Kosovës pa u ndëshkuar asnjëherë për to dhe janë integruar tashmë në rrjetet e krimit të organizuar në veri të vendit tonë. Këto struktura e kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial, si dhe funksionalitetin tonë institucionale, ndërsa kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, kohët e fundit ka deklaruar se ai kurrë nuk do t’i shuajë ato. Në fakt, Serbia duket e vendosur për t’i forcuar strukturat e veta politike ilegale duke kërcënuar se do t’i mbajë zgjedhjet e saj të ardhshme të përgjithshme dhe lokale brenda territorit të Kosovës, për herë të dytë, pasi Kosova e ka shpallur pavarësinë”, thuhet më tej. “Duke e përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE, pa u siguruar së pari që ajo ka kryer reforma të vërteta, do të kemi vetëm importim të problemeve të rajonit tonë në Bashkimin Evropian, e jo zgjidhje të tyre. Prandaj, unë me respekt Ju sugjeroj që Qeveria juaj të votojë kundër dhënies së statusit të kandidatit për Serbinë”, përfundon letra.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve