description

Ministri Hoxhaj merr mbështetje nga Kongresi amerikan

Publikuar: E enjte 9 Shkurt 2012, 21:15 0 Komente

Uashington, 9 shkurt - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, po vazhdon vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas takimeve me shumë diplomatë në Nju Jork dhe pjesëmarrjes së suksesshme në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Ministri Hoxhaj ka udhëtuar në Uashington ku po zhvillon takime me përfaqësues të Kongresit të SHBA-ve dhe diplomatë e zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror të administratës amerikane. Ministri Hoxhaj është takuar edhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në kuadër të lobimit permanent për të rritur numrin e njohjeve për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Gjatë vizitës në Uashington, Ministri Hoxhaj ka zhvilluar takime të ndara me disa kongresmenë amerikanë. Në takimin me kongresmenin Eliot Engel, ministri Hoxhaj e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep Kosovës në periudha të ndryshme kohore.

Kongresmeni Eliot Engel, ka thënë se edhe më tutje do të angazhohet personalisht për të siguruar njohje të reja për Republikën e Kosovës. Engel po ashtu ka siguruar Ministrin Hoxhaj se do të punoj intensivisht për konsolidimin e shtetësisë së brendshme në tërë territorin e Kosovës. Ai ka bërë thirrje që sa më parë të shpërbëhen strukturat ilegale të shtetit serb në veri. “Situata në veri të vendit, për SHBA-në është e papranueshme dhe e patolerueshme”, ka shtuar kongresmeni Engel.

Ndërsa, kongresmeni amerikan Adam Smith ka siguruar Ministrin Hoxhaj se SHBA-të edhe më tutje do të jenë prezentë në Kosovë. “Ne mbështesim fuqishëm praninë e trupave ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë”, ka thënë kongresmeni Smith. Në takimin tjetër me kongresmenin Gary Peters, është folur për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-ve dhe Republikës së Kosovës.

Ministri Hoxhaj ka thënë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, ka sjell siguri, paqe dhe stabilitet në rajon. “Populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës për rolin e SHBA-ve në arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka shtuar Ministri Hoxhaj. Kongresmenët amerikanë edhe njëherë kanë rikonfirmuar mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetësisë së Kosovës.

 

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve