description

MPJ-ja pret edhe 14 njohje

Publikuar: E hëne 6 Shkurt 2012, 10:15 0 Komente

Njohja nga 100 shtete dhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me Bashkimin Evropian përmenden si qëllimet kryesore afatshkurtra të diplomacisë kosovare. Më 23 janar, Republika e Ganës u bë shteti i 86-të nga gjithsej 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, e cila njohu shtetësinë e vendit. Pesë shtete të Bashkimit Evropian, megjithatë, nuk hyjnë në radhët e vendeve që pranojnë Kosovën si palë të barabartë në arenën ndërkombëtare. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme shfaqin shpresën që brenda këtij viti hapin për njohje ta hedhin edhe të paktën 14 shtete të tjera. Zëvendësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi, tha se synim kryesor do të jetë tejkalimi i problemeve aktuale me Serbinë me qëllim përmirësimin e raporteve, sidomos me pesëshen evropiane që s’e ka njohur Kosovën. “Kjo nuk është krejtësisht e lehtë për faktin se është një proces i ndërlikuar që ndërlidhet edhe me procesin e dialogut teknik, edhe me procesin e marrëveshjeve me Serbinë, të implementimit të tyre, por edhe me procesin e zgjidhjes së problemit me veriun. Mirëpo, ne do të jemi shumë të impenjuar, shumë të interesuar dhe të angazhuar që kjo të ndodhë”, tha Gashi për REL. Ministria e Jashtme pati hartuar, kohë më parë, një strategji për lobim dhe njohje të reja, me të cilën, ndër të tjera, parashihet të arrihet njohja e Kosovës nga shumica e shteteve anëtare të OKB-së, nga të gjitha vendet e BE-së dhe përfshirja e Kosovës si anëtar i barabartë në të gjitha organizatat dhe mekanizmat e bashkëpunimit rajonal.

Zëvendësministri Gashi shprehu bindjen se pas arritjes së një pajtimi Prishtinë-Beograd rreth mënyrës së përfaqësimit të Kosovës në nismat dhe forumet rajonale do të krijohej mundësia e lidhjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në. “Mendoj se gjetja e kësaj zgjidhjeje në mënyrë indirekte nënkupton se këto shtete nuk do t’i bllokojnë proceset që janë në interes për Kosovën, siç është ndërtimi i një raporti të ri, pra i një marrëdhënieje kontraktuale midis Kosovës dhe BE-së”, theksoi Gashi. Me diplomatë të ndryshëm evropianë dhe ndërkombëtarë janë takuar, përgjatë muajve të kaluar, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, dhe zëvendëskryeministri i parë për lobim dhe sjelljen e investimeve të huaja, Behgjet Pacolli. Opozita vlerëson se diplomacia, siç quhet me shumë adresa, nuk ka treguar efikasitetin e premtuar përgjatë pothuaj katër viteve prejse Kosova është shtet.

 

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve