description

Nis amendamentimi i ligjit për zgjedhjet

Publikuar: E mërkure 8 Shkurt 2012, 19:39 0 Komente

Komisioni ad hok i ngritur nga Kuvendi i Kosovës për reformën zgjedhore, pasi ka marrë dhe ka votuar të gjitha rekomandimet e dërguara nga subjektet politike, shoqëria civile dhe grupi punues për zgjedhje, e ka filluar draftimin dhe ndryshimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, nëpërmes grupit draftues të ngritur enkas për këtë punë. Këtë agjendë të dinamikës së re të punës e konfirmoi për gazetën kryetari i komisionit Haki Demolli. Në mesin e rekomandimeve që sigurojnë një proces shumë të rregullt zgjedhor, me pamundësi manipulimi, është edhe rekomandimi i mbështetur nga shumica e subjekteve politike që identifikimi i votuesve të bëhet në mënyrë elektronike dhe mbi bazën e të dhënave biometrike. “Do të bëhet edhe një amendament lidhur me identifikimin, të cilin do ta bëjë grupi draftues në bazë të rekomandimit që e ka bërë komisioni për ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve, në parim ka pajtueshmëri të plotë nga të gjitha subjektet edhe për këtë formë të identifikimit, mirëpo këto do të jenë vetëm amendamente e që pastaj do të votohen në versionin final në kuadër të komisionit”, i tha gazetës Demolli. Puna rreth draftimit të ligjit për zgjedhje duhet të përfundohet brenda dy javësh në vijim. “Afat kohor të cilin ia ka caktuar vetes grupi draftues është 25 shkurti, deri kur duhet të bëhet amendamentimi preliminar dhe pastaj do të ulet grupi punues për zgjedhje edhe njëherë që t’i shqyrtojë ato amendamente në mënyrë që t’i japë vërejtjet dhe komentet e veta lidhur me amendamentet që ne do t’i hartojmë”, tha Demolli. Krahas procesit të amendamentimit të ligjit për zgjedhje nga grupi draftues, edhe KQZ-ja e ka filluar një proces të rëndësishëm që ka të bëjë me pastrimin e listave zgjedhore, në bashkëpunim me organet përkatëse. Sipas KQZ-së lista e votuesve kosovarë brenda pak muajve është shkarkuar nga mbi 30 mijë persona të vdekur dhe votues që nuk kanë shtetësi kosovare e që përbënin potencial për abuzim me vota. “Kjo punë po bëhet nga një ekip i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili ka paraqitur të dhënat e deritashme të punës me pastrimin listës së votuesve”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi. Raportet flasin se nga lista e votuesve janë hequr 15 mijë persona të vdekur dhe 6 214 raste janë në proces. Gjithashtu janë hequr mbi 10 mijë persona që kanë humbur shtetësinë dhe 60 mijë të tjerë që kanë pasur kode të gabuara në vendbanimet e tyre.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve