description

Rezoluta mund të ndryshohet më 7 shtator

Publikuar: E premte 3 Shtator 2010, 20:59 0 Komente

Vendet perëndimore nuk i kanë ndalur përpjekjet e tyre diplomatike që kanë për objektiv të bindin Serbinë ta tërheqë rezolutën për Kosovën ose të bëjnë modifikime. Përmbajtja aktuale e rezolutës për Kosovën, të parashtruar nga Serbia, mbetet e papranueshme. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se bashkësia ndërkombëtare është aktivizuar shumë që rezoluta aktuale e Serbisë çfarë është tani të mos kalojë në aprovim, por edhe nëse hedhet të mos kalojë në AP të KB-së. “Çdo rezolutë e miratuar apo e supozuar për miratim në OKB duhet të përmbajë respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe të reflektojë mendimin e GJND-së”, tha Kuçi. Qeveria, sipas tij, është në kontakte permanente edhe me Brukselin dhe Uashingtonin për çdo lëvizje dhe çdo ndryshim. “Çdo përpjekje e tyre në raport me rezolutën është e konsultuar paraprakisht edhe me institucionet e Kosovës”, tha Kuçi. Në këto beteja diplomatike zakonisht kompromiset bëhen në momentet e fundit. Politika kosovare nuk mendon se oferta e BE-së adresuar Serbisë mund të përmbajë ndonjë kompromis që do të ishte në dëm të realitetit të krijuar. “Kjo nuk mund të ndodhë, sepse janë dy arsye: e para është që këtë çështje e konsiderojmë të mbyllur me vullnetin e shprehur, por edhe mendimi i GJND-së. Rezoluta në asnjë rast nuk ka efekt juridik, por po krijon një balon politik dhe në këtë drejtim ne po luftojmë që të mos tolerojmë atë, përndryshe gjendja politike dhe juridike e Kosovës është e pandryshuar dhe këtë të gjithë e kanë të njohur, jo vetëm në OKB, por edhe në Serbi”, tha Kuçi. Sipas medieve serbe, bisedimet e BE-së me Beogradin rreth ndryshimit të rezolutës duhet të përfundojnë deri më 7 shtator, kur është caktuar takimi i presidentit serb, Boris Tadiq, me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Ketrin Eshton. Sipas gazetës ‘Blic’, qëllimi është të hartohet një tekst i cili në thelb do të ishte rezolutë serbe, e ndryshuar në masë të madhe që të mbështetet nga 27 anëtarët e BE-së. Kjo, sipas gazetës, do të mundësonte që ajo të miratohet në Asamblenë e Përgjithshme të KB-Së.Rezoluta aktuale është kundërshtuar nga numri më i madh i vendeve të BE-së.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve