description

Serbia të ndërpresë mbështetjen për strukturat paralele

Publikuar: E mërkure 8 Shkurt 2012, 20:03 0 Komente

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është mbledhur të mërkurën për të diskutuar për raportin e rregullt tremujor të sekretarit të përgjithshëm, Ban ki Mun, për situatën në Kosovë. Pas fjalëve hyrëse të përfaqësuesit special të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Farid Zarif, ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministrit serb Vuk Jeremiq, vlersimet e tyre i kanë dhënë edhe shtetet përfaqësuese të KS të OKB-së.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka theksuar se

sa i përket dialogut teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Hoxhaj ka thënë se Serbia ka dështuar të bëjë progres të mjaftueshëm në këtë proces.

Kryediplomati kosovar ka folur edhe për situatën e tanishme në pjesën veriore të Kosovës dhe moszbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani. “Situata në terren, veçanërisht në veri të Kosovës, mbetet e tensionuar si rezultat i bllokadave të rrugës që janë ngritur nga ekstremistët serbë dhe strukturat shtetërore të Serbisë që paguhen nga Beogradi. Prej korrikut të vitit të kaluar, liria e lëvizjes e qytetarëve dhe mallrave në pjesën veriore të Kosovës u mohohet qytetarëve të Kosovës", ka thënë mes tjerash Hoxhaj. Ai ka theksuar se sundimi i ligjit nuk është e i negociueshëm dhe se duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Duke folur për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit, ministri Hoxhaj ka thënë se paqja dhe stabiliteti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe prosperiteti i tërë rajonit do të varen nga vendimet që do të merren shpejt në Bruksel nga Këshilli Evropian. Sipas tij, Serbia nuk mund të shpërblehet me statusin e kandidatit, pa shpërbërjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës.

 

Jeremiq: Zgjidhje vetëm nën 1244-shin

 

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, ka thënë se negociatat janë rruga e vetme për të arritur zgjidhje të qëndrueshme për problemin e Kosovës, ndërsa kur është fjala për përfaqësimin rajonal të Prishtinës, një gjë e tillë, sipas tij, duhet të jetë “pa mëdyshje” në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së. Jeremiq i ka bërë këto komente para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili po zhvillon seancën e rregullt për Kosovën. Duke vënë në dukje se raporti i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, ka konstatuar progres në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Jeremiq ka thënë se Serbia vazhdon t’i përkushtohet këtij procesi, sepse, sipas tij, ai është mekanizmi i vetëm legjitim për tejkalimin e pengesave. Ministri i Jashtëm serb ka komentuar edhe pjesën e raportit të Banit, ku flitet për “trafikimin me organe njerëzore”, konkretisht rastin Medikus.

Sikurse më parë, shtetet përfaqësuese të KS të OKB-së kanë qenë të ndara në vlerësimet e tyre mbi situatën në Kosovë. Derisa Rusia dhe Kina i dolën në krah Serbisë, ishin SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe shtete tjera, të cilat kërkuan që Serbia sa më parë të ndërpresë mbështetjen për strukturat paralele në veri të Kosovës dhe të ndikojë tek serbët lokalë që të heqin barrikadat. Përfaqësues i Rusisë në KS të OKB-së ritheksoi qëndrimin e Moskës zyrtare kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai kritikoi autoritetet e Prishtinës dhe misionet ndërkombëtare në Kosovës, si UNMIK-ut e EULEX-in dhe KFOR-in, se nuk kanë bërë sa duhet që të qetësohet situata në veri. Përfaqësuesi i Gjermanisë në KS të OKB-së tha se situata në veri ka ndikuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në mes Beogradit e Prishtinës, ndërsa ka dënuar çdo akt të dhunës ndaj KFOR-it e EULEX-it, të cilat kanë vepruar në pajtim me mandatin e tyre . Ai theksoi se thirrja e Jeremiqit për heqjen e barrikadave erdhi paksa me vonesë, por siç tha ai “më mirë vonë se hiq”. Diplomati gjerman dha mbështetje për hetimin e raportit të Martit, por sipas tij hetimet duhet të kryhen nga Task-Forca e themeluar nga EULEX-i dhe lidershipi i vendeve rajonale, pasi ato kanë kapacitetet për të kryer këto hetime.

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në KS të OKB-së ka qenë edhe më e qartë karshi gjendjes në Kosovë. Ajo tha se Serbia duhet që sa më parë të ndërpresë mbështetjen për strukturat paralele në veri të Kosovës dhe të ndikojë tek serbët lokalë që të heqin barrikadat.

“Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës bëhen më të vështira për shkak të pranisë së institucioneve të paligjshme të strukturave paralele që veprojnë në veri dhe Serbia duhet që sa më shpejtë të ndërpresë mbështetjen për strukturat paralele”, ka thënë ajo. Diplomatja amerikane tha se EULEX-i është organ i duhur që mund të hetojë pretendimet për trafikimin me organe njerëzore dhe që të tri vendet, Kosova, Serbia e Shqipëria duhet të bashkëpunojnë me BE-në. Krejt në fund të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së kanë paraqitur faktet shtesë edhe ministri serb Vuk Jeremiq dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

 

 

 

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve