description

Shënohet përvjetori i vrasjes së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit

Publikuar: E premte 10 Shkurt 2012, 18:59 0 Komente

Edhe pse pesë vjet kanë kaluar që kur policia rumune e UNMIK-ut në demonstratën e 10 shkurtit 2007 i ka vrarë dy nga protestuesit e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, askush nuk është dënuar. Për t’i nderuar viktimat gjatë asaj proteste, e cila shprehte pakënaqësitë e qytetarëve kundër pakos së Ahtisarit, Lëvizja “Vetëvendosje” të premten ka organizuar aktivitete të ndryshme. VV-ja e ka organizuar një tribunë të titulluar “Plani i Ahtisarit” , gjatë së cilës anëtarë të Kryesisë së VV-së kanë folur rreth kontributit të të gjithë dëshmorëve të kombit, organizimit të demonstratës së 10 shkurtit, dhe qëllimit të asaj demonstrate, si dhe mungesës së drejtësisë për zbardhjen e rastit të vrasjes së Balajt dhe Xheladinit. Para familjarëve të Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, foli deputeti i VV-së, Glauk Konjufca .“Unë nuk mund të flas për Arben Xheladinin dhe Mon Balajn. Thjesht, nuk është e mundur të flitet për ta. Apo më saktë - nuk është e mundur të flasësh vetëm për ta. Nuk është e mundur të flasësh për filan dëshmorin. Sepse dëshmorët nuk janë individë. As persona. Vetëm ne jemi të tillë. Ata janë kategori universale”, është shprehu Konjufca. Sipas tij, kjo fjalë duhet të merret si homazh për dëshmorët, në përgjithësi, për sa kohë që dëshmorët janë tërësi organike. Të flasësh për dëshmorët veç e veç, sipas Konjufcës, do të thotë t’ua vrasësh atyre përjetësinë dhe universalitetin.

Pas tribunës, VV-ja ka vazhduar me homazhe te pllakat përkujtimore të dy dëshmorëve, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, në sheshin “Nënë Tereza”. Ndërkohë, VV-ja ka cituar edhe deklaratën e organizatës ndërkombëtare Amnesty International, e cila i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar në Kosovë që të ofrojë drejtësi për familjet e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, të vrarë në protestat e 10 shkurtit të vitit 2007, në Prishtinë.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve