description

Shoqëritë civile i duan listat e hapura

Publikuar: E shtune 28 Janar 2012, 21:30 0 Komente

Derisa janë duke u bërë hapat e parë në procesin e draftimit të kornizës ligjore të zgjedhjeve, një proces i rëndësishëm që po kërkohet si standard i ri edhe nga faktori ndërkombëtar, pas abuzimeve dhe keqmenaxhimit të skajshëm të zgjedhjeve të vitit 2010 në Republikën e Kosovës, zëri i shoqërisë civile është duke u bërë gjithnjë e më i artikuluar për të ushtruar ndikimin e vet sa më të madh, që vërtet reforma të jetë kualitative dhe më funksionale në zgjedhjet e reja të Kosovës, kurdo që mbahen ato. Në fokus të kësaj agjende pritet që javën që vjen të mbahet edhe një brifing i radhës i Institutit Demokraci për Zhvillim, i cili do të paraqesë për opinionin rekomandime shumë konkrete sa i përket qasjes kualitative të reformës zgjedhore.

Menaxheri i Programit të Institutit “Demokraci dhe Zhvillim”, Valmir Ismaili, e ka informuar gazetën se gjatë ditës së hënë do të bëhet publike edhe pakoja e rekomandimeve të këtij instituti, që gjithsesi mbështeten në kërkesën për ruajtjen e listave të hapura zgjedhore dhe ndarjen e vendit në më shumë zona zgjedhore, nga ajo që aktualisht është vetëm një zonë zgjedhore. “Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në kuadër të Forumit Reforma ka ndërmarrë një iniciativë të reformimit të sistemit zgjedhor. Nga temat e diskutuara deri më tani, ky institut ka arritur që të gjejë konsensus dhe ka nxjerrë rekomandimet e veta disa nga çështjet më të rëndësishme, përfshirë edhe sistemin zgjedhor”, ka thënë Ismaili. Sipas tij, instituti propozon që Kosova të ketë sistem zgjedhor me shtatë zona me sistem proporcional. “Ky opsion (a) balancon më së miri në mes të zonave të vogla dhe 1 zone, dhe (b) përkon me organizimin më të shpeshtë rajonal në Kosovë”, tha Valmir Ismaili. Megjithatë, mbetet që detaje nga rekomandimet e tjera për sistemin zgjedhor dhe listën e votuesve, përbërjen e KQZ-së dhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit do të jepen në një briefing për gazetarë, që mbahet të hënën.

Të zgjedhurit të lidhen me bazën

Në favor të listave të hapura zgjedhore është edhe koalicioni i OJQ-ve ‘Demokracia në veprim’, një organizatë që ka përvojë mjaft të mirë në mbështetjen dhe monitorimin e zgjedhjeve të deritashme të organizuara në vendin tonë. Mirëpo për dallim nga Institutit Demokraci për Zhvillim, OJQ-të e mbledhura në koalicionin ‘Demokracia në veprim’ e kanë projektin e tyre, i cili parasheh një reformë akoma më të thellë të sistemit zgjedhor. Lista e hapur është ajo që nuk dallon nga Instituti për Demokraci e Zhvillim, por ky koalicion e sheh si zgjidhje më të përshtatshme dhe shumë më funksionale ndarjen e vendit në 26 zona zgjedhore, në mënyrë që të zgjedhurit për Kuvendin e Kosovës të jenë krejtësisht të lidhur me bazën zgjedhore dhe të kenë legjitimitet shumë të fuqishëm në raport me votën e fituar. “Demokracia në veprim’ ka propozuar që në Ligjin për Zgjedhjet Kosova të përcaktojë sistemin elektoral të përzier, mazhoritar-proporcional me 26 zona zgjedhore”, tha Ismet Kryeziu përfaqësues i koalicionit të OJQ-ve ‘Demokracia në veprim’. “Zgjedhja e sistemit nuk duhet të jetë çështje e matematikave, por duhet të jetë çështje e efektit që prodhon sistemi. Ne kemi një ndasi rajonale në Kosovë, por këto e thellojnë ndasinë rajonale të mëtutjeshme. Fuqizojnë profilin e subjekteve politike dhe i japin tipik karakter krahinor ose rajonal subjekteve politike. Nuk e zvogëlojnë autoritarizmin brenda subjektit politik. Lideri i partisë politike e ka ndikimin qysh e ka pasur në përcaktimin e kandidatëve në një zonë kur ka qenë Kosova. Nuk e mundësojnë lidhjen direkte mes zgjedhësve dhe të përzgjedhurve”, ka thënë Kryeziu. Ai gjithashtu ka shtuar se përparësitë në 26 zona zgjedhore rrisin llogaridhënien e të  zgjedhurve ndaj zgjedhësve, inkurajohet pjesëmarrja më e madhe qytetare në procesin zgjedhor, rritet llogaridhënia e të zgjedhurve ndaj zgjedhësve, rritet komunikimi dykahor zgjedhës - të zgjedhur dhe shumë elemente të tjera pozitive në këtë proces reformator.

 

Partitë me qëndrime të largëta

Pikërisht çështja e zonave zgjedhore vazhdon të mbetet një nga pikëpyetjet kryesore edhe në Komisionin për ndryshimin e ligjit për zgjedhje. Partitë politike në këtë komision akoma nuk i kanë përafruar qëndrimet e tyre sa i përket pikërisht listave zgjedhore dhe zonave zgjedhore. Kryetari i komisionit, Haki Demolli, ka thënë se në grupin punues të zgjedhjeve akoma ka propozime divergjente nga përfaqësues të subjekteve politike për çështjen e zonave. Në njërin prej takimeve të grupit punues zgjedhor, ku janë kërkuar propozimet e subjekteve politike respektivisht nga përfaqësues të tyre, kemi pasur propozime të tilla që disa subjekte politike kanë qenë për një zonë të vetme zgjedhore. Ka pasur një propozim për 6 plus, respektivisht 6 zona e më tepër dhe propozimi tjetër ka qenë për 10 plus dhe kemi pasur një propozim prej 26 zonash dhe tjetri prej 100 zonash”, ka thënë Demolli. Ai shton se në aspektin e analizës shihet dallimi serioz në propozime që është shumë i largët për t’u përafruar prej një deri në 100 zona. Do të shohim nëse eventualisht subjektet politike do të arrijnë konsensus për të gjetur një numër më të përshtatshëm të zonave që do të kemi në të ardhmen. Besoj se do të ketë më shumë se një zonë zgjedhore, edhe pse disa prej subjekteve të vogla politike sikur është SLS-ja dhe lëvizja Vetëvendosje, që megjithatë nuk është subjekt i vogël politik, kanë dhënë propozime për 1 zonë zgjedhore, kurse subjektet e tjera kanë pasur propozimet prej 6 e deri në100 zona”, ka thënë Demolli.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve