description

Statusi special rrezikon ndarjen e veriut

Publikuar: E hëne 6 Shkurt 2012, 10:18 0 Komente

Diplomatë të institucioneve të Bashkimit Evropian konsiderojnë se Kosova duhet të fuqizojë edhe më shumë synimet evropiane, ndërkohë që Prishtina zyrtare është në pritje të procesit të liberalizimit të vizave dhe marrëdhënieve kontraktuale me BE-në si një kërkesë e shtruar një kohë të gjatë. Këtë mesazh e ka lëshuar komisionari për zgjerim, Stefan Fyle gjatë takimit me presidenten Atifete Jahjaga, duke përmendur nevojën që “Kosova ta ketë një plan për pjesën veriore të Kosovës”, gjë e cila nga politika vendore kuptohet si një lloj statusi special, njëherësh duke kërkuar nga Kosova që dialogun me Serbinë të jetë konstruktiv dhe fleksibil në kërkimin për zgjidhje kompromisi për çështje të rëndësishme, siç është bashkëpunimi rajonal. Por, presidentja Jahjaga, duke folur edhe për veriun e Kosovës, ka thënë se “zgjidhja e gjendjes së krijuar në tri komunat atje qëndron në zbatimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Kosovës dhe Pakos së Ahtisarit. “Presidentja kërkoi që në këtë pjesë të Kosovës të organizohen sa më parë zgjedhjet lokale, të cilat do të mundësonin zgjedhjen e përfaqësuesve legalë dhe legjitimë, që do të përfaqësonin drejt interesat e qytetarëve serbë të Kosovës”, thuhet pos tjerash në kumtesën për medie. Analistë të çështjeve ndërkombëtare alarmojnë se një status special për veriun mund të çojë në ndarje të Kosovës, gjë për të cilën Erhard Busek, ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, hapur deklaroi se Kosova me Serbinë duhet të ndahen.

Statusi special nënkupton sovranitet të dyfishtë

Analisti politik për çështje ndërkombëtare, dr. Mehdi Hyseni tha se një modifikim të këtillë taktik të politikës strategjike dhe gjeostrategjike të Beogradit zyrtar, e parashikojnë edhe “Katër pikat” e presidentit serb, Boris Tadiq (edhe pse ai në sy të BE-së dhe të Amerikës, deklarativisht e mohon ndarjen e Kosovës), të propozuara Qeverisë së Kosovës, BE-së dhe Amerikës, sipas së cilave kërkohet njohja e statusit special të autonomisë së serbëve në veriun e Kosovës, si dhe të mbrojtjes dhe të garancisë së autonomisë eksterritoriale të kishave dhe të manastireve serbe në Kosovë. “Nëse këto “Katër pika” të Planit të Boris Tadiqit, do të pranoheshin nga Prishtina zyrtare, nga BE-ja dhe nga Amerika, atëherë, nuk ka dyshim se, pjesa veriore e Kosovës, do të vihej nën “sovranitetin e dyfishtë” serbo-shqiptar, edhe pse një status i tillë, do të ishte në s’përputhje të plotë me parimet e së drejtës ndërkombëtare, si dhe me të drejtën historike të shqiptarëve mbi Kosovën e Shqipërisë”, tha Hyseni. Drejtoresha e programit të GNK-së për Evropë, Sabine Frejzer konsideron si të rëndësishme që palët të mbesin të qeta, të punojnë në normalizim dhe dialog dhe të mos pretendojnë ndryshimin e situatës në terren. “Nga autoritetet kosovare kërkohet që të mos ndërmarrin asnjë veprim të përpjekjes së dhunshme të marrjes së kontrollit të disa institucioneve. Do të jenë të nevojshme shumë muaj dhe vite në ndërtimin e besimit dhe përpjekjeve nga ana e Prishtinës që njëfarë mënyre të bindin ata të cilët jetojnë në veri të Kosovës se do të kenë jetë normale me respektimin e të gjitha të drejtave të tyre në Kosovë”, thotë Frejzer. Ajo thotë se serbëve u nevojitet inkurajimi dhe mbështetja që të ndihen si çdo qytetar i Kosovës.

 

Kundër ndarjes

Aktualisht Gjermania, Holanda dhe Britania mbajnë një qëndrim të fuqishëm kundër ndarjes dhe vendosjes së marrëdhënieve ndërfqinjësore si kusht për procesin e integrimeve. Ambasadori britanik, Majkl Devenport tha se ndarja e Kosovës nuk do të ndihmonte në zgjidhjen konstruktive. “Ndarja nuk është zgjidhje konstruktive dhe në një kuptim është qasje e rrezikshme, sepse do të kishte pasoja të rënda edhe në pjesë tjera të rajonit”, ka thënë ai ditë më parë për B92. Ai tha se duhet gjetur një zgjidhje e cila do t’i mundësojë Prishtinës të marrë pjesë në takimet rajonale. “Kjo nuk është cështje e njohjes por përfaqësimit. Nuk është fjala se BE-ja dëshiron që Serbia të tërhiqet nga rezoluta, por nuk është e nevojshme të përmendet”, ka thënë Devenport. Ai tha se BE-ja nuk ka qëndrim sa i përket tekstit, i cili do të ishte në pllakëzën e përfaqësimit. Ai rikujtoi se bashkëpunimi rajonal është element i rëndësishëm, madje baza më e rëndësishme e të gjitha parimeve të BE-së.

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve