Tre të vdekur, shpëtojnë dy fëmijët
Mesdita e së enjtes ishte tragjike për familjen Berisha nga Vasileva e Drenasit. Tre anëtarë të kësaj familjeje kanë humbur jetën, dhe dy të tjerë janë lënduar si pasojë e shpërthimit të zjarrit në shtëpinë e tyre. Kryefamiljari V. Berisha, 60-vjeçar, gruaja e tij, S. Berisha, 45- vjeçare, si dhe nëna e kryefamiljarit, 80-vjeçarja, H. Berisha kanë humbur jetën gjatë këtij shpërthimi, ndërsa dy fëmijët e kësaj familjeje, vajza 12-vjeçare, G. Berisha dhe djali, D. Berisha, 15- vjeçar, kanë pësuar djegie, por gjenden jashtë rrezikut për jetë. Zjarrit i kishte shpëtuar lehtë fëmija i tretë, vajza, e cila në momentin e shpërthimit gjendej në dhomën tjetër të shtëpisë.
Ngjarja që e tronditi fshatin
Rasti tragjik e kishte tronditur gjithë fshatin Vasilevë, banorët e të cilit ishin mbledhur tek vendi i ngjarjes për t’i ngushëlluar familjarët, dhe për të kuptuar më shumë për rastin. Familjari më i afërt i viktimave, i cili mori forcën të flasë për mediet rreth rastit tragjik, Hajriz Berisha, i cili rrëfeu momentet pas dëgjimit të eksplodimit të zjarrit në shtëpinë e djalit të mixhës së tij, viktimës 60-vjeçar, V. Berisha. “Ai ka qenë me familje brenda në dhomë. Ne e kemi dëgjuar eksplodimin dhe në bazë të eksplodimit që ka ndodhur kanë mbetur brenda ai me nënën, gruan dhe tre fëmijët. Tani për tani, dy fëmijët janë në spital, por gjatë eksplodimit njëri ka dalë për dere dhe tjetri për dritare, ata janë marrë dhe janë dërguar menjëherë në spital”, është shprehur familjari Berisha. Sipas tij, kur ka ndodhur eksplodimi, forca eksplodues e gazit i ka nxjerrë jashtë djalin dhe vajzën. Vajza tjetër, sipas tij, ka qenë një dhomë më poshtë, dhe ajo është nxjerrë nga familjarët pas eksplodimit. “Menjëherë është bërë informimi në nivel komunal, dhe zjarrfikësit kanë ardhur dhe fatbardhësisht rruga ka qenë e hapur dhe kanë arritur me kohë në vendngjarje, dhe falë kësaj kanë arritur të shpëtojnë shtëpinë, e cila ka shpëtuar pa u djegur”, është shprehur familjari Hajriz Berisha. Sipas tij, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë ardhur zjarrfikësit, policia, dhe kryetari komunal me stafin e vet, dhe ky i fundit, sipas tij ka informuar se çfarë do që ka nevojë për këtë familje, të gjitha i kryen komuna e Drenasit. “Ne kemi ardhur të gjithë këtu, dhe ka qenë e pamundur ndihma të vijë. Nuk ka mundur askush të intervenojë, sepse ka qenë eksplodim i gazit dhe s’kemi pasur kurrfarë mundësie të intervenojmë brenda. E vetmja mundësi ka qenë që zjarri të mos përhapet, dhe këtë e kanë arritur zjarrfikësit, mundësi tjetër për të intervenuar nuk ka pasur”, është shprehur Berisha, duke shtuar se mundësia e vetme ka qenë që dy fëmijët, të cilët janë hedhur jashtë nga shpërthimi t’u japin ndihmën dhe t’i dërgojnë në spital.
Ai ka thënë se dhe në bazë të informatave që kanë si familjar, gjendja e dy fëmijëve është jashtë rrezikut për jetë. Sipas tij, fëmija i tretë është mirë, dhe gjendet në familjarët më të afërt.
Policia konfirmon rastin
Ndërsa, Policia e Kosovës, ka pohuar se menjëherë pas marrjes së informatës për eksplodimin e zjarrit në këtë fshat, njësitet e saj kanë dalë në vendin e ngjarjes. “Në orën 13:20, policia ka marrë informatën se ka shpërthyer një zjarr në fshatin Vasilevë të komunës së Drenasit, saktësisht në një shtëpi, ku kanë humbur jetën tre persona dhe kanë pësuar pjesërisht djegie dy të tjerë”, njofton Policia e Kosovës. Në vendngjarje, sipas policisë menjëherë pas marrjes së lajmit kanë dalë të gjitha njësitë e nevojshme policore, zjarrfikësit dhe zyrtari për hetimin e shkaqeve të zjarrit, si dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e tre personave.
Ndërsa, personat që kanë pësuar pjesërisht djegie, G. Berisha, 12-vjeçare femër dhe D. Berisha, 15-vjeçar mashkull, sipas PK-së janë dërguar në QKUK- Prishtinë, për trajtim mjekësor dhe nga atje është mësuar se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë. Policia ka njoftuar se në bashkëpunim me zyrtarët relevantë nga institucionet përkatëse, aktualisht janë duke punuar me intensitet të shtuar për të sqaruar të gjitha rrethanat të cilat kanë ndikuar në shkaktimin e këtij rasti tragjik.
Ngushëllimet e kryeministrit Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Berisha nga Vasileva e Drenasit, me rastin e humbjes së tre anëtarëve të saj, si pasojë e zjarrit që shpërtheu në shtëpinë ku jetonin. Në telegramin e ngushëllimit të kryeministrit thuhet: “Qeveria e Republikës së Kosovës solidarizohet dhe ndan dhimbjen me familjen Berisha, duke qenë pranë saj në mbështetje të plotë”. /Kosova Sot/
- Kodi Penali rikthehet në komisionin e ligjeve
- Kosova përgatiti pavarësinë e Shqipërisë
- Jahjaga fton Nikoliqin të vendos raporte fqinjësore me Kosovën
- Kuçi: Fati i Kosovës nuk varet nga zgjedhjet serbe
- Pacolli i reklamon bizneset në ueb-faqen e Qeverisë
- ISPK: Kushtetuesja e politizuar
- Demaçi: Unë nuk kam pikur nga qielli
- Atentatori i Rugovës: Mos bëni fushatë në emrin tim
- Fitu: Për veriun, vizion jo fjalë
- Nikoliq, presidenti i ri i Serbisë
- Jahjaga: Kroatët, një ulëse të rezervuar në Kuvend
- Serbët e Kosovës votojnë për presidentin e Serbisë
- Kuvendi Zgjedhor i FR të LDK-së, protestë e të rinjve llapjanë e gjakovarë
- Lajçak paralajmëron format të ri të dialogut Kosovë-Serbi
- Qeveria dështoi me administratën
- Limaj: Kabineti qeveritar është i stërngarkuar
- E dërguara e Hillari Klinton për komunitetin mysliman në Kosovë
- I fshehin mëditjet
- Kodi, të hënën, në Kryesi
- Shoqëria civile e akuzon për dështim AKK-në




ad_d.jpg)

Komente