description

Zanieri kërkon ndërmjetësimin e BE-së

Publikuar: E enjte 2 Shtator 2010, 20:18 0 Komente

Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë theksuan se ekzistojnë të gjitha kushtet për një proces më direkt të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për t’i adresuar çështjet e interesit të përbashkët, dhe se duhet të ndihmohen nga bashkësia ndërkombëtare veçanërisht Bashkimi Evropian. Pas një takimi me kryetarin e kuvendit, shefi i UNMIK Lamberto Zanier, ka thënë se UNMIK-u nuk do ta detyrojë askënd që të hyjë në bisedime dhe Prishtina e Beogradi duhet ta përcaktojnë vetë agjendën e bisedimeve, pasi të ulen në tavolinë. Ndërkaq kreu i Parlamentit të Kosovës, Krasniqi, tha se Prishtina është e gatshme që me shtetin serb të bisedojë vetëm në cilësinë e dy shteteve sovrane, të cilat, siç thuhet, kanë përgjegjësi për hapësirën e vet territoriale. Zanieri theksoi se rrethanat aktuale, pas procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në prag të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, janë të rëndësishme dhe se tani ekzistojnë të gjitha kushtet për një dialog më të drejtpërdrejtë ndërmjet të dy palëve. Kërkesat për zhvillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë për të ashtuquajturat çështje teknike ishte bërë kohë më parë nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, dhe nga shefja e diplomacisë evropiane ,Ketrin Eshton. Shefi i UNMIK shprehu gatishmërinë e Kombeve të Bashkuara për të lehtësuar dialogun ndërmjet palës serbe dhe asaj kosovare, por tha se rolin udhëheqës ndihmues në këto bisedime duhet ta ketë Brukseli zyrtar. “Është koha që evropianët ta kryejnë këtë rol, mendoj se duhet të koordinohemi me evropianët për këtë çështje. Unë do të shkoj shumë shpejt në Bruksel dhe do t’i inkurajoj ata që ta marrin përsipër rolin e ndërmjetësuesit për bisedime, edhe me mbështetjen time”, ka thënë Zanieri.

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve