description

Kuvendi kërkon përmirësimin e strategjisë energjetike

Publikuar: E premte 19 Mars 2010, 2:42 0 Komente

Ligjvënësit kosovarë, në një seancë të veçantë, e kanë debatuar të ënjten dhe e kanë mbështetur në parim strategjinë e energjisë për periudhën 2009-2018, një strategji e rishikuar mbi bazën e dokumentit të ngjashëm, të cilin e ishte hartuar Qeveria e Kosovës në mandatin e kaluar, si strategji për vitet 2005-2015. Ndonëse nevoja për një strategji afatgjatë dhe të konkretizuar zhvillimore të këtij sektori jetik për vendin është mbështetur nga të gjitha grupet parlamentare, dokumenti bazë i prezantuar nga Ministria e Energjisë dhe Minierave ka marrë shumë kritika dhe vërejtje konkrete.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka Pula, duke paraqitur një ekspoze të strategjisë së rishikuar, la të kuptohet se dokumenti në fjalë bazohet në programin e Qeverisë për sektorin e energjisë, si dhe në platformën e politikës energjetike të Kosovës, por nuk mund të bëhen korrigjime të mëdha, ngase është i përgatitur së bashku me Bankën Botërore dhe Departamentin e Shtetit të SHBA-së. Ajo përmendi edhe faktin se kjo lloj platforme zhvillimore e këtij sektori e ka marrë edhe mbështetjen e fuqishme nga Komisioni Evropian dhe Zyra Civile Ndërkombëtare në vendin tonë. Ministrja Pula tha se strategjia ka për qëllim stimulimin dhe përdorimin racional të energjisë dhe rritjen e efiçiencës së shfrytëzimit të saj, shfrytëzimin e energjisë së ripërtërishme dhe futjen e teknologjisë së re në prodhimin energjisë, nëpërmes tërheqjes së investitorëve të huaj për zhvillimin dhe modernizimin e këtij sektori. Një vëmendje e posaçme në këtë ekspoze iu kushtua projektit “Kosova e Re”. “Sipas parashikimeve deri në vitin 2025 Kosovës do t’i duhen rreth 2,000 MW të instaluara. Prandaj edhe në strategji kemi parashikuar që të ndërtohen 2,000MW në periudhën afatgjate për të shfrytëzuar të gjithë Sibovcin. Por, deri në vitin 2018, periudhë që mbulohet nga kjo strategji, na duhen rreth 1,000MW”, tha ministrja Pula.

 

Rekomandimet e

komisionit dhe grupeve

Pas prezantimit nga ministrja Pula, Komisioni parlamentar për ekonomi, tregti, energji dhe transport i ka dhënë mbështetje strategjisë, me kërkesën që të përfshihen rekomandimet e tij. Këtë arsyetim mbështetës e bëri kryetarja e komisionit, Myzejene Selmani, që në emër të komisionit, por edhe grupit parlamentar të AKR-së ka thënë se TC ‘Kosova B’ nuk duhet të përfshihet në pakon tenderuese, ndërkohë që ndërtimi i ‘Kosovës së Re’, sipas saj duhet të bëhet në lokacionin afër Kosova A.

Në emër të GP të PDK-së, mbështetjen politike e ka dhënë deputetja Sala Berisha, duke theksuar se strategjia paraqet një mundësi të re zhvillimore për Kosovën, siguron kornizë përmes së cilës Kosova mund të shfrytëzojë këtë projekt për të mirën e gjithë qytetarëve të saj, ndonëse shqyrtimi dhe miratimi në Kuvend është vonuar tej mase dhe pa asnjë arsye bindëse. “Dokumenti në fjalë ka ardhur në shtator të vitit 2009, ndërsa ne po e shqyrtojmë tani në mars të 2010-s. Prandaj me të drejtë dikush do të thotë se ka pasur rrjedha dhe ndryshime, mirëpo ajo çka dëshiroj të theksoj me këtë rast është se kisha një kërkesë nga të gjithë edhe si individ, edhe si grupe parlamentare, si institucione që të punojmë bashkërisht, t’i harmonizojmë qëndrimet, t’i harmonizojmë edhe hapat, edhe veprimet, në mënyrë që të mos kemi raste të tilla post festum”, tha ajo. Këtë fakt e përmendi duke nënvizuar se akoma shumica e dokumenteve bazike për vendin janë në diskutim dhe duhet të lind pyetja serioze se kush nuk po e kryen punën e vet si duhet.

Edhe Fatmir Rexhepi, në emër të LDK-së, ka bërë vërejtje për vonesën e strategjisë, e cila është dashur të bëhej në vitin 2009, ndërkohë që ka thënë se LDK-ja përkrah politikat që të ketë 1000 megavat kapacitet prodhues, plus 1000 të tjerë më vonë, e jo siç parashihet me planin e veprimit 500 plus 500 megavat. “Debati lidhur me strategjinë e ofruar për energjinë mendoj që duhet të shkojë në drejtimin që e meriton një dokument i tillë për rëndësinë e madhe ekonomike, jo vetëm për sektorin e energjisë, por për gjithë vendin. Është dokument që është dashur të aprovohet në vitin 2009, ndërsa veprimet e tjera që i ka bërë Qeveria nuk përputhen me këtë dokument që ne e kemi para vetes dhe të cilin mendoj se duhet ta aprovojmë në parim me rekomandime dhe ndryshime që i nxjerr Kuvendi”, tha Fatmir Rexhepi. “LDK-ja kërkon që Qeveria të zbatojë ligjet dhe strategjinë për energjinë, e mos të veprojë jashtë tyre. Strategjia të jetë në funksion të tregut të konkurrencës dhe jo të monopolit”, tha deputeti Rexhepi.

 

Opozita, po na humbin investitorët

Kritika më të mëdha ka adresuar deputeti i AAK-së, Ethem Çeku, duke konstatuar se kjo strategji nuk është në harmoni me politikat e ndjekura nga komiteti drejtues i ‘Kosovës së Re’, ngase me këtë strategji parashihet që të ndërtohen kapacitete 1000 plus 1000 megavat, kurse komiteti drejtues ndjek politika për ndërtimin 500 plus 500 megavat. Ai kërkoi që kjo të harmonizohet në një pikë të përbashkët vepruese, duke pasur të qartë edhe pakon tenderuese.

“Strategjia parasheh që ‘Kosova e Re’ të futet në punë në vitin 2015 dhe jemi në tremujorin e parë 2010, dhe ende nuk është prezantuar pakoja tenderuese. Vendosja e ‘Kosovës B‘ në një pako tenderuese përfundimisht e mbyll konkurrencën në sektorin e energjisë, kështu që e shndërron sektorin e energjisë nga monopoli shtetëror në monopolin privat”, ka thënë Çeku. Ai tha se Qeveria e tanishme as së afërmi nuk është duke treguar se di t’i përdorë resurset natyrore për zhvillim ekonomik. “Ajo ka mbetur peng i joprofesionalizmit dhe inateve politike, dhe vendi është duke paguar një kosto tepër të shtrenjtë në aspektin zhvillimor. Kosova po i humb investitorët e rëndësishëm dhe po shndërrohet në një vend jo të preferueshëm për investimet e huaja, e në veçanti për kompanitë e rëndësishme prestigjioze”, konstatoi Çeku.

Kundër ka dalë edhe grupi parlamentar i LDD-së. Vlerësimi i këtij grupi ishte se dokumenti është i përgatitur në mënyrë ekskluzive për shërbim ekskluziv të grupeve të caktuara të interesit, grupe të spektrit vendor dhe ndërkombëtar, duke mos e nxjerr paraprakisht ligjin për privatizimin e KEK-ut në mënyrë të qëllimshme.

 

Akuza për korrupsion

Naim Rrustemi, nga grupi i deputetëve të pavarur në Kuvendin e Kosovës, tha se Qeveria pati premtuar në fillim të mandatit se energjia do të jetë prioritet kryesor ndër prioritetet që ka për zhvillimin e vendit, por këtë nuk po e realizon ngase po mendon për pasurimin individual nëpërmes realizimit të interesave të ndryshme biznesore nëpërmes këtij projekti. “Rasti i kësaj strategjie tregon se Qeveria e Kosovës ka njerëz me tituj akademikë, por nuk posedon vullnet politik për zhvillimin e vendit, por me sa duket nga i gjithë tregimi për “Kosovën e Re është vetëm qartësimi i vullnetit politik, që unë e quaj vullnet i mirë mbushjes së xhepave personalë qeveritarë, fakt ky që të gjithë miqtë ndërkombëtarë po na e thonë troç. Dhe kjo mund të jetë temë e debatit më të gjerë publik”, tha deputeti Rrustemi.

Ligjvënësit, pas debatit të ngjeshur, i kanë rekomanduar Qeverisë së Kosovës që vërejtjet dhe rekomandimet që kanë dalë gjatë debatit t’i marrë në shqyrtim, dhe së bashku me komitetin drejtues të “Kosovës së Re” t’i përfshijnë në dokument, i cili duhet të sillet edhe njëherë në Kuvendin e Kosovës për miratim.

S. AHMETI

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve