description

Një dekadë nga Marrëveshja e Ohrit

Publikuar: E shtune 13 Gusht 2011, 22:24 0 Komente

Me rastin e 10 vjetorit të Marrëveshjes, në Ohër u mbajt konferencë ndërkombëtare në të cilën u dhanë vlerësime për këtë dokument, i cili u quajt edhe dokument i paqes. Presidenti i Maqedonisë, Gjorgji Ivanov, nënvizon se në çdo demokraci çdo e drejtë është edhe obligim, andaj vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, arrihet bashkëjetesë e mirëfilltë e më shumë bashkësive etnike në një shoqëri shumetnike. Zëvendës ndihmëssekretari shtetëror i SHBA-së, Filip Riker, thotë se në Maqedoni është bërë shumë për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, por ende ka pengesa serioze për implementimin e saj në praktik. SHBA-ja është e interesuar për implementimin e plotë të këtij dokumenti, sepse ai siguron një ardhmëri të sigurt për Maqedoninë.“Ne duhet t`i shmangemi asaj që ishte shtëpi e ndarë. Marrëveshja e Ohrit ishte shans i mirë për tejkalimin e dallimeve mes më tepër popujve që jetonin në Maqedoni”, vlerëson Riker. Lideri aktual i BDI-së, ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Ali Ahmeti, vlerëson se Marrëveshja e Ohrit është një dokument i cili i garanton Maqedonisë një perspektivë të sigurt evropiane. “Marrëveshja e Ohrit qëllimin kryesor e ka pasur ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, një kushtetutë e cila i margjinalizonte shqiptarët. Kjo marrëveshje ndryshoi statusin politik të shqiptarëve në Maqedoni dhe i bëri shtetformues”, thotë Ali Ahmeti.

Diplomati amerikan që në vitin 2001 kishte rolin e ndërmjetësuesit në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, Xhejms Perdju, thotë se Marrëveshja e Ohrit paraqet model për tejkalimin e konflikteve etnike edhe në rajone tjera të krizës. “Arritja e Marrëveshjes së Ohrit ndoshta ishte më e lehtë, por implementimi i saj ishte më i vështirë. Dokumenti i Ohrit nuk është zgjidhje e përkryer, por ai ndryshoi shumë gjëra në të mirë në Maqedoni”, shprehet Xhejms Perdju. Gjithnjë sipas tij Marrëveshja e Ohrit i mundëson Maqedonisë që të jetojë në paqe, por u mbetet liderëve që në vazhdimësi ta sensibilizojnë atë. Naser Zyberi, në kohën e miratimit të Marrëveshjes së Ohrit, ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë si ekspert për çështje juridike. “Përmbajtja e Marrëveshjes së Ohrit ka një filozofi të veçantë. Ajo e rregullon mënyrën e funksionimit të shtetit mbi parimet e barazisë së qytetarëve. Fatkeqësisht, Maqedonia ende nuk funksionon mbi këto parime të marrëveshjes së Ohrit”, vlerëson Naser Zyberi.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve