description

BE-ja mblidhet sot, Greqia kërkon miliarda të tjera

Publikuar: E diel 29 Janar 2012, 23:11 0 Komente

Kriza ekonomike që ka përfshirë Greqinë duket se është ende shumë larg një zgjidhjeje përfundimtare. Krerët e vendeve të BE-së do të mblidhen sot në një samit të paplanifikuar ku Greqia do të kërkojë sërish para se sa ishte planifikuar në fillim.

 

Fondet ndihmëse

Kurse, shkurto, konsolido. Kjo është motoja evropiane ndërkohë, sidomos në vendet me programe të tilla ndihme si Greqia, apo Portugalia. Por kjo politikë ka çuar edhe në trazira sociale dhe në papunësi. Prandaj kryetarët e shteteve duan të gjejnë një balancë, por jo me programet e vjetra konjunkturore, sepse kjo vetëm do të rriste malin me borxhe. Në vend të kësaj do të shfrytëzohen fondet e ndihmës, si ato për zhvillimin rajonal dhe strukturor. Këtu kërkohet edhe ndihma e Komisionit të BE, tha ministri i Jashtëm gjerman Guido Vestervelle në Bruksel. Sipas mendimit të tij paratë e BE gjithsesi harxhohen pa kriter. “Mua nuk më duket e arsyeshme, që nga paratë e BE-së për fondet strukturore të ndërtohen në fshat vende për parkimin e biçikletave, në vend që fonde të tilla të shfrytëzohen për të përmirësuar aftësinë konkurruese të vendeve më të varfra në Evropë”, tha ai.

Në samitin e ardhshëm mund të kërkohet aprovimi politik për tekstin e paktit fiskal. Procedura e mëtejshme do të zgjasë edhe disa muaj të tjerë, por procesi në përgjithësi ecën më shpejt nga ç’pritej. Së bashku me ESM (fondi për shpëtimin e euros) BE është i përgatitur mirë për krizën, mendon ministri gjerman i Financave Shauble: “Këtu bashkohen me të vërtetë solidariteti dhe soliditeti, duke i trajtuar problemet në vendet e prekura me kredibiliteti, duke krijuar një strukturë për sigurinë  e monedhës evropiane. Dhe kohën ndërmjet do ta kapërcejmë me solidaritetin e nevojshëm. Kjo shkon hap pas hapi dhe ne ecim përpara”.

Mbetet problemi i madh Greqia, që gjithashtu zyrtarisht nuk është temë e samitit. Gjithnjë e më shumë bëhet e qartë se Greqia nuk i përmbush dot kërkesat e nevojshme, për të marrë një paketë të dytë me ndihma. Ministrja austriake e Financave Fekter tha atë, që shumë e mendojnë: “Niveli politik në Greqi duhet ta dijë, se ne presim që ato të bëjnë më shumë. Rëndësi nuk ka vetëm që të ulen shpenzimet, por edhe të nisen reforma strukturore. Dhe, këtu ata nuk veprojnë”.

Gjendja e Greqisë, shqetësuese

Edhe bisedimet me kreditorët privatë për të shkurtuar borxhet nuk ecin përpara. Raporti i fundit i trojkës nuk do të jetë dot gati për samitin. Por gjërat janë pak a shumë të qarta. Komisioneri i BE për Çështjet Monetare Olli Ren ka thënë se Greqia do të ketë nevojë për më shumë para nga shtetet e Eurozonës dhe institucionet e BE, pra nga EFSF, apo nga Banka Qendrore Evropiane. Dhe shefja e FMN-së Kristine Lagarde ishte e mendimit, se në qoftë se kreditorët privatë nuk do të heqin dorë nga sa duhet, atëherë duhet të ndërhyjnë institucionet publike. Volker Kauder, kryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në parlamentin gjerman e kërcënoi Greqinë në “Spiegel Online” se do të vendoset një “komisioneri shtetëror”, që do të monitorojë politikat buxhetore. Kur gjendja është kaq e tensionuar, tema Greqi nuk do të lihet dot jashtë diskutimeve të samitit.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve