Gjermania nuk ndalet, eksportet në nivel rekord
Ndërsa e gjithë eurozona lëngon nga kriza financiare, Gjermania duket se është e vetmja e fituar në këtë situatë. Rritja e saj ekonomike nuk ndalet para asgjëje. Sipas raportimeve të fundit, Gjermania e mbylli vitin 2011 me një surplus tregtar prej 158 miliardë eurosh, krahasuar me 155 miliardët e vitit 2010, falë shifrave rekord të eksportit, 11.4 për qind. Shifrat kanë dalë nga zyra federale e statistikave.
Depërtim në tregun
aziatik
Eksportet kanë kaluar për herë të parë një mijë miliardë eurot, në 1.060 miliardë. Vetëm Kina ka mundur të jetë më përpara se Berlini me 1.432 miliardë euro. Gjithsesi, në dhjetor surplusi tregtar gjerman ra në 13.9 miliardë krahasuar me 14.9 miliardë që ishte në muajin nëntor. Edhe eksportimet ranë me 4.3 për qind, ndërsa importet me 3.9 për qind. E ndërsa Gjermania vazhdon të mos e njohë krizën, Banka Qendrore e Francës deklaroi se për tremujorin e parë të këtij viti ekonomia e dytë më e madhe e eurozonës do të jetë në stagnim dhe nuk do të shënojë rritje ekonomike. Kështu, me gjithë krizën e huave dhe rritjen ekonomike më të dobët, ekonomia gjermane llogarit megjithatë që eksporti të shënojë rritje edhe në 2012-n. Kjo del prej anketës aktuale “Going International” të Shoqatës së Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK). Në 2011-n, 91 për qind e sipërmarrjeve kanë shitur në mbarë botën mallra nga Gjermania. Sipas sondazhit, gati një e treta e sipërmarrjeve operon jashtë vendit me filiale të vetat dhe me sipërmarrje “bija”. Kjo përqindje ka mbetur krahasimisht konstante vitet e fundit. Në këtë mes, sipërmarrjet gjermane vazhdojnë të kenë në shënjestër rritjen ekonomike të Azisë, para së gjithash atë të Kinës. Ky rajon është tregu i dytë më i rëndësishëm për to. Natyrisht, Evropa si treg vendas është vendi më i rëndësishëm i biznesit, mirëpo rritja ekonomike dhe orientimi i ri drejtohen nga Lindja, nga Azia. Atje, krahas Kinës, ka shumë tregje që mund të shkëlqejnë me rritje ekonomike solide, me një ambient biznesi të mirë, e atje po vendosen firmat gjermane. Edhe rajoni aziatiko-juglindor po bëhet më tërheqës për sipërmarrjet gjermane. Vërtet për 2012 pritet që koniunktura botërore të ngadalësohet, por Indonezia, Malajzia, Filipinet, Tajlanda, Singapori dhe Vietnami do të vazhdojnë të rriten ekonomikisht. Me prodhimet e tyre “Made in Germany”, sipërmarrjet gjermane vazhdojnë të jenë të kërkuara atje, thuhet në anketën e DIHK-së.
Eksportet marrin impulse shtesë
Eksportet gjermane mund të marrin impulse shtesë edhe nga një sërë marrëveshjesh të tregtisë së lirë, të cilat po negociohen aktualisht me vende të caktuara të këtij rajoni dhe që mund të shpien në ulje të konsiderueshme të tarifave doganore dhe në investime të reja. Pikërisht tregjet me rritje ekonomike në vende në industrializim e sipër investojnë në modernizimin e ekonomisë së tyre, dhe për këtë atyre u duhen edhe makineri e pajisje nga Gjermania. Prodhimi i automjeteve private është gjithashtu i lidhur me eksportin. Markat gjermane janë të kërkuara në mbarë botën.
Megjithatë, pjesa dërrmuese e sipërmarrjeve gjermane të orientuara nga eksporti e ndiejnë gjendjen e keqe ekonomike në vendet e euros në krizë. Në bazë të përgjigjeve të sipërmarrjeve, DIHK-ja llogarit për 2012-n një rritje të eksporteve prej gati katër për qind. Kësisoj, rritja është pak më e ulët sesa në dhjetë vitet e fundit, gjatë të cilave u shënuan mesatarisht gati gjashtë për qind.
- Aleksis Tsipras, njeriu që e ka fatin e euros në dorë
- Luftërat nuk mbarojnë
- NATO-ja zyrtarizon mbrojtjen raketore
- Ngrohja globale do të sjellë më shumë uragane
- Ja cilat do të jenë pasojat e daljes së Greqisë nga Eurozona
- Ja cilat do të jenë pasojat e daljes së Greqisë nga Eurozona
- NATO-ja kërkon zbatimin e marrëveshjeve
- Afganistani dhe mbrojtja raketore dominojnë Samitin
- Obama: Konsensus për eurozonën
- Bashkëpunëtorët afganë kanë frikë nga tërheqja e NATO-s
- Meksikë, gjendet i vrarë gazetari i zhdukur
- Obama mirëpret liderët e G8-ës
- Disidenti Çen largohet nga Kina
- Dështon fluturimi i anijes private kozmike
- Njeriu i cili e ka krijuar internetin nuk e përdorë ‘Facebook’-un
- Dreka e Elisabetës II, kritika për listën e të ftuarve
- Shutanovac pranon se ka radikalë serbë në veri
- G8, klubi ekskluziv me probleme identiteti
- Emanuela është vrarë për ta fshehur lidhjen romantike me një kardinal?
- Tadiq: “Edhe Evropa, edhe Kosova”




ad_d.jpg)

Komente