description

Kryeqyteti britanik, parajsë për të pasurit

Publikuar: E hëne 6 Shtator 2010, 21:07 0 Komente

Si shumica e qyteteve të botës, Londra u godit rëndë nga recesioni i fundit global. Megjithatë një pjesë e shoqërisë vazhdon të krenohet me paranë e vet.

Kryeqyteti britanik është parajsë për të pasurit e botës dhe pas një zmbrapsjeje dyvjeçare ata po rikthehen me furi.

Trevor Abrahamson është i specializuar për të ndihmuar të pasurit e botës që të blejnë pasuri në Londër, si për shembull një vilë 14-milionë dollarësh në lagjen e të pasurve, Hampstead. “Me pak fjalë, Londra kryeson botën. Në fakt, nëse shikojmë Nju-Jorkun, Los- Anxhelosin, Parisin, Berlinin, Frankfurtin dhe jugun e Francës, zonat e pasura të këtyre tregjeve po kërkojnë më shumë kohë për t’u rimëkëmbur”.

Kjo pasuri e Londrës po tërheq vëmendjen e njerëzve të pasur. Një apartament luksoz u shit kohët e fundit për një shifër rekord, prej 220 milionë dollarësh. Ndërsa identiteti i shitësit mbahet sekret, agjentët imobiliarë njoftojnë se bëhet fjalë për pronar shumë të pasur nga Lindja e Mesme dhe Nigeria.

Një godinë është ndërtuar me xhama kundër plumbit, me sistem ajrosjeje kundër helmimit dhe me një dhomë paniku, pajisje këto që tërheqin blerësit e huaj, të cilët kërkojnë siguri të tilla shtesë.

Ajo ka edhe një tunel nën tokë, që e lidh me hotelin Mandarin Oriental aty pranë, ku stafi është në dispozicion gjithë kohën. Madje, mes dyqaneve janë edhe ato luksoze, Harrods dhe Harvey Nichols.

Trevor Abrahamson thotë se përveç blerësve tradicionalë nga Lindja e Mesme dhe Rusia, Londrës po i shtohen edhe investitorë të rinj.

“Investitori më i fundit ka qenë nga Kina. Ne kemi pasur disa kërkesa, deri në 80 ose 125 milionë dollarë për një pasuri të vetme”.Një studim i fundit lidhur me artikujt luksozë në Londër bën fjalë për një ngritje të çmimeve për herë të parë që nga viti 2007.

Ronnie Armist, zyrtar i lartë i kompanisë konsulente për investimet, Stonehage, e cila kreu studimin, thotë se rënia e vlerës së monedhës britanike luan një rol të madh. “Kjo patjetër ka tërhequr investimet e të huajve në Britani dhe veçanërisht në Londër, që dihet se është një prej kryeqyteteve më të mëdha të botës. Ata i shtohen deri diku kërkesës për disa prej gjërave luksoze që ofron Londra. Bëhet fjalë në veçanti për ngjarje sportive, si Uimbeldon, ose shfaqjet në Operën Mbretërore dhe ngjarje të tjera kulturore”.

Në botën konkurruese për pasuri ky mund të jetë trofeu e fundit. ‘Regent Street’ është një prej zonave me dyqanet më të famshëm të Londrës dhe pronarët Croun Estates e kanë vënë në shitje: Çmimi total rreth 2.5 miliardë dollarë. Njoftohet se fonde të ndryshme qeveritare, duke përfshirë edhe një i kontrolluar nga familja mbretërore e Katarit, ia kanë vënë syrin kësaj oferte.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve