description

Kuba, mes reformave ekonomike dhe stagnimit politik

Publikuar: E shtune 28 Janar 2012, 21:20 0 Komente

Gjatë pesë dekadave kanë qeverisur në Kubë vëllezërit Kastro. Pjesa më e madhe e kubanezëve nuk kujtohen më për kohën para Fidelit (85) dhe Raulit (80). Tani, në moshë të thyer, Kastrot duket se e kanë kuptuar se ndryshimi gjallëron biznesin politik. Për këtë arsye në të ardhmen postet e larta qeveritare do të mbahen e shumta dhjetë vjet nga i njëjti person. Rregulli i ri do të vendoset këtë fundjavë në konferencën e parë kombëtare të Partisë Komuniste.

 

Ulje e subvencioneve, rritje e çmimeve

Raul Kastro, presidenti i Kubës që prej vitit 2006 kishte iniciuar qysh më parë reforma ekonomike: në prill 2011 në kongresin e fundit të rregullt të partisë, komunistët vendosën më shumë se 300 masa për reformimin e sistemit të vjetërsuar ekonomik. Që atëherë janë ulur shërbimet sociale nga shteti, janë shkurtuar subvencionet dhe janë rritur çmimet. Njëkohësisht shteti ka lehtësuar themelimin e sipërmarrjeve të vogla, raporton DW. “Tani ekziston një treg transparent për shërbimet”, thotë Bert Hofman, ekspert për Kubën në institutin GIGA për studime rreth Amerikës Latine. Shumë kubanezë hapin restorante, fast-food apo hotele të vogla. Të tjerë bëhen profesionistë të pavarur si parukierë, hidraulikë apo mekanikë. “Shërbimet e këtyre sipërmarrjeve janë dukshëm më të mira se ofertat përkatëse të shtetit”, thotë Bert Hofman. Por, nga ana tjetër, janë rritur edhe çmimet. Liberalizimi i ekonomisë shërben edhe si ventil për pakënaqësinë e njerëzve ndaj politikës. “Tani ka shumë më tepër mundësi ku njerëzit mund të shkarkojnë energjitë e tyre”, thotë Hofman. Por ka edhe humbës, për shembull pensionistët të cilët nuk i lejojnë vetes shumë gjëra për shkak të rritjes së çmimeve.

 

Një proces

me dy shpejtësi

Sipas ekspertit Bert Hofman, politikisht ka pak në lëvizje në Kubë edhe nën qeverisjen e Raul Kastros: “Kemi një proces me dy shpejtësi. Reformat ekonomike ecin përpara dhe kemi të bëjmë me një proces të mirëfilltë reformator. Por në sektorin politik mbizotëron stanjacioni.” Në kongresin e ardhshëm të jashtëzakonshëm kombëtar të partisë duhet të flitet për reforma politike. Kështu u vendos në kongresin e partisë në prill 2011. Kërkesat për reforma politike po bëhen gjithnjë e më të forta. Disidentët kubanezë tërheqin vëmendjen për kërkesat e tyre me greva urie. Edhe Kisha Katolike ka shtuar kritikat ndaj regjimit. Konferenca e partisë “është mundësia e fundit për brezin historik të revolucionit për të ndërmarrë reforma të vërteta dhe të vazhdueshme”, shkruante në një kryeartikull Lenier Gonzalez, zëvendësdrejtor i gazetës së afërt me kishën “Espacio Laical”.

 

Skeptikë para

konferencës së partisë

Por, vetë presidenti Raul Kastro zbuti paraprakisht pritjet: “Nuk duhet të ketë iluzione shumë të mëdha për konferencën. Ajo është një çështje e brendshme e partisë.” Eksperti për Kubën, Bert Hofman, nuk ka pritje të mëdha: “Në parim bëhet fjalë për një aktivitet që i drejtohet më shumë anëtarëve të partisë se sa popullit të gjerë”. Në radhë të parë është fjala për të treguar unitet dhe për ta mbajtur partinë në një linjë. Skeptike shprehet edhe blogerja kubaneze, Yoani Sánchez, kritike e regjimit. “Pjesa më e madhe e kubanezëve presin pak nga takimi. Në rrugë njerëzit thuajse nuk flasin fare për të. Një koment tipik është ‘ajo nuk ndryshon asgjë’”. Sipas ekspertit Hofman, pakënaqësia është Kubë është që tani e ndjeshme. Megjithatë nuk pritet ndonjë ndryshim regjimi së shpejti, udhëheqja e vendit është e qëndrueshme. Deri tani elitat nga partia, aparati shtetëror dhe ushtria janë në unitet. Frika e tyre ndaj një lufte civile, dhunës dhe humbjes së privilegjeve është shumë e madhe.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve