description

Moti i acartë ngrin Evropën 

Publikuar: E marte 7 Shkurt 2012, 2:59 0 Komente

Çdo orë e më shumë shtohet numri i të vdekurve në Evropë si pasojë e të ftohtit polar që ka mbërthyer shumë shtete në kontinentin e vjetër. Deri tani numërohen më shumë se 250 të vdekur. Ukraina vazhdon të shënojë rekordin e temperaturave më të ulëta, po ashtu edhe të vdekjeve. 9 persona humbën jetën vetëm në mbrëmjen e së shtunës duke u gdhirë e diel. Zyrtarët thonë se deri tani aty kanë vdekur 131 njerëz, shumica e tyre të pastrehë, ndërsa 1800 të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital. Temperaturat shënuan rekordin prej -38 gradësh. Pas Ukrainës, vjen Polonia, ku të dielën humbën jetën tetë vetë dhe numri i përgjithshëm ka shkuar në 53. Të vdekur ka pasur edhe në Itali, Gjermani, Poloni, Rumani, Bosnjë-Hercegovinë, Letoni, Lituani, Estoni, Bullgari, Çeki, Sllovaki, Francë, Austri, Greqi dhe Serbi. Probleme të shumta janë vërejtur me transportin në shumë vende të kontinentit evropian. Sipas raportimeve nga aeroporti “Heathrow” i Londrës, të dielën u kryen vetëm 50 për qind e fluturimeve, për shkak të motit shumë të keq. Probleme pati edhe me aeroportet e tjera në vend. Ndërkohë, autostradat kryesore kanë pasur probleme të mëdha, ku shumë drejtues makinash janë bllokuar gjatë natës nëpër automjetet e tyre. Edhe shërbimet e trenave dhe metrotë kanë pasur kaos dhe çrregullime. Autoritetet e aeroportit të “Heathrow”-t thanë se janë detyruar të anulojnë shumë fluturime. Nga një vështrim i parë në internet shumë linja të Evropës janë anuluar. Në Francë, të paktën katër persona kanë humbur jetën, ndërsa shumë shërbime publike kanë pezulluar punën, për shkak të motit të jashtëzakonshëm. Edhe kryeqyteti italian Roma, po përballet me borën dhe të ftohtin më të hidhur që prej vitit 1985. Si pasojë e motit të keq është ndier edhe mungesa e shërbimeve në shumë zona. Për herë të parë komuna të ndryshime të vendit kanë pasur ndërprerje të energjisë elektrike dhe ujit. I ftohti ka shkaktuar edhe dy viktima të tjera në Romë. Një e pastrehë 78-vjeçare është gjetur e vdekur në një stacion treni, ndërsa një 66-vjeçare ka vdekur në shtëpinë e saj në Palestrina. Në këtë mënyrë shkon në 15 bilanci i viktimave, për shkak të motit të keq. Pritet që nga dita e sotme deri të martën i ftohti siberian të arrijë maksimumin e intensitetit në Itali. Ndërsa në Bosnjë, në pjesën lindore të saj, helikopterët kanë shpërndarë ushqime dhe kanë ndihmuar njerëz për t’u evakuuar nga zonat e thella.

Në kryeqytetin Sarajevë është vendosur gjendja e jashtëzakonshme, ku dëbora ka paralizuar gjithë qytetin. Edhe në Serbinë fqinje 70 mijë njerëz kanë mbetur të bllokuar, ndërsa 32 bashki në të gjithë vendin kanë marrë masa emergjente për të përballuar situatën. Holanda shënoi temperatura deri në -21 gradë Celsius. Në shumë qytete janë shënuar temperatura që në vend nuk regjistroheshin prej 30 vjetësh. Meteor­ologët thonë se sfida me të cilën po përballen këta njerëz është se i ftohti po zgjat kaq shumë. Raportimet e para për sasi të mëdha dëbore erdhën nga Rumania më 26 janar. Edhe pse temperaturat po rriten, dëbora do të vazhdojë të bjerë me intensitet të lartë.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve