description

Përparësia e Kinës kundrejt Amerikës

Publikuar: E marte 24 Janar 2012, 22:54 0 Komente

Kur presidenti amerikan Barak Obama kishte ftuar në darkë mendjet më të ndritura të Luginës së Silikonit në shkurtin e vitit të kaluar, nga secili mysafir ishte kërkuar që t'ia shtronte presidentit nga një pyetje. Kur i erdhi radha shefit të "Apple"-s, Stiv Xhobs, derisa ai ishte duke folur, presidenti Obama e ndërpreu duke ia bërë një pyetje: "Çka nevojitet që iPhone të prodhohet në SHBA (në vend se në Kinë)"?

Jo fort moti, "Apple" krenohej se të gjitha produktet e saj i bën në SHBA. Sot, gati të gjithë 70 milionë "iPhone"-at, 39 milionë "iPad"-at dhe 50 milionë pajisje të tjera, të shitura vitin e kaluar, ishin prodhuar jashtë SHBA-së, kryesisht në Kinë.

Çka duhet të bëjmë që këto punë të kthehen në Amerikë?, e kishte pyetur Obama Xhobsin.

Përgjigjja e shefit të "Apple"-it kishte qenë e qartë dhe pa hamendje:

Ato vende të punës nuk mund të kthehen në atdhe!

Tregimi fillon në vitin 2007, kur "Apple" ishte larg titullit të kompanisë më të vlefshme në botë. Pak më shumë se një muaj para paraqitjes së "iPhone"-it të parë në dyqane, Stiv Xhobs kishte mbledhur të gjithë zyrtarët e lartë të kompanisë "Apple", sepse tani e një kohë të gjatë ishte duke testuar modelin provues dhe nuk ishte i kënaqur.

 

Oferta nga Kina

Xhobs ishte tejet i zemëruar. Mbante modelin e "iPhone"-it në dorë, ashtu që të gjithë të mund të shihnin gërvishtjet e ekranit plastik. Më pas nxori çelësat nga xhepat e xhinseve.

Njerëzit do ta mbajnë këtë telefon në xhep me çelësat e tyre. Nuk mund ta shes një produkt i cili gërvishtet! Dua një ekran të qelqtë dhe e dua për gjashtë javë, kishte urdhëruar ai.

Asokohe, ekranet e qelqta të celularëve nuk ishin të rëndomtë sikur që janë sot. Për më tepër, ata evitoheshin, sepse nuk mund të arrihet një precizitet i lartë gjatë përpunimit të qelqit.

Një gjë e tillë ishte vështirë të arrihej për një kohë kaq të shkurtër. Por, më pas arriti një ofertë nga Kina, vendi me fuqi të lirë punëtore.

Kur delegacioni i kompanisë "Apple" kishte arritur në fabrikën e qytetit kinez Senxhen, pronarët tanimë kishin ndërtuar një shtesë të re prodhuese.

Këtë e kemi bërë për çdo rast. Nëse na e jepni punën, kishte shpjeguar menaxheri kinez.

Magazina ishte plot me ekzemplarë qelqi për eksperimente, krejtësisht falas. Një ushtri e tërë e inxhinierëve kinezë prisnin shenjën për t'ia filluar punës. Ishte ndërtuar edhe fjetorja e punëtorëve, në mënyrë që ata të ishin në dispozicion 24 orë në ditë. Natyrisht, fabrika kineze e mori këtë punë.

- I tërë zinxhiri prodhues tani gjendet në Kinë. Ju duhen me mijëra mbyllës të gomës? Këtë e bën fabrika këtu afër. Një milionë vida? Këtë e bën fabrika në bllokun fqinj. Por, vidat duhet të jenë të ndryshme? Nuk ka problem, ata do të jenë të gatshëm për tri orë - kështu e shpjegon procesin e punës në Kinë një ish-funksionar i lartë i kompanisë "Apple".

Tetë orë larg nga fabrika e firmës "Foxconn", e cila mori punën nga "Apple", gjendet kompleksi i njohur me emrin Fokskon Siti. Këtu "iPhone" përfundohet.

Pasi që e kishin parë për herë të parë, zyrtarët e kompanisë "Apple" e kishin pasur të qartë pse prodhimi i "iPhone"-ve nuk do të kthehej në Amerikë.

 

Punësimi i

3 000 punëtorëve sa hap e mbyll sytë

Në SHBA nuk ekziston asgjë e ngjashme me Fokskon Sitin.

Ky kompleks ka 230 000 të punësuar. Shumë prej tyre punojnë gjashtë ditë në javë, deri në 12 orë në ditë. Pjesa më e madhe e punëtorëve të thjeshtë marrin më pak se 17 dollarë në ditë.

Ata mund të punësojnë 3 000 punëtorë të rinj sa hap e mbyll sytë. Cila fabrikë amerikane mund të punësojë brenda natës 3.000 punëtorë të rinj dhe t'i bindë ata që të jetojnë në fjetore?, thotë Xhenifer Rigoni, ish-menaxher i kompanisë "Apple".

Një përparësi tjetër e rëndësishme e Kinës kishte qenë mundësia e sigurimit të mbështetjes inxhinierike, të tillë që as SHBA-ja nuk mund ta ofrojë. Drejtorët e kompanisë "Apple" kishin vlerësuar se u duheshin 8 700 inxhinierë industrialë për ta drejtuar shiritin prodhues të 200.000 punëtorëve, me rastin e prodhimit të "iPhone"-it. Analistët e kompanisë "Apple" kishin vlerësuar se iu nevojiteshin nëntë muaj për të mbledhur tërë këtë numër të punëtorëve të kualifikuar në SHBA. Në Kinë, këtë e bënë për vetëm 15 ditë.

Kur inxhinierët e kompanisë "Apple" në vitin 2007 përfundimisht kishin përkryer metodën për prerjen e xhamave të ekraneve, kamionët e parë me xhama të prerë kishin arritur në Fokskon Siti në mes të natës. Menaxherët e kompleksit kishin zgjuar nga gjumi me mijëra punëtorë, të cilët menjëherë kishin veshur uniformat e tyre dhe kishin filluar të kompletonin "iPhone"-at me dorë. Në tre muajt pasues, "Apple" kishte shitur një milion "iPhone". Nga ajo kohë, "Foxconn" ka kompletuar edhe 200 milionë "iPhone".

Pra, përparësia e Kinës nuk ka të bëjë vetëm me fuqinë e lirë punëtore, por me shumë përparësi të tjera. New York Times

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve