description

100 vjet pavarësi, shqiptarët bashkohen në Tiranë

Publikuar: E marte 17 Janar 2012, 20:40 0 Komente

Kuvendi i Shqipërisë mblodhi në sallën e tij përfaqësues të të gjitha trevave shqiptare, për të celebruar të bashkuar nisjen e kalendarit të veprimtarive festive me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Me deklarata emocionale për ditën që përkon edhe me 544 vjetorin e prijësit dhe heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe, udhëheqës dhe përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi celebruan nisjen e ditëlindjes kombëtare të shqiptarëve. Të pranishëm krahas deputetëve shqiptarë si nga mazhoranca dhe opozita, ishin anëtarë të Parlamenteve të Kosovës, të Maqedonisë, dhe të Malit të Zi, ndërsa në lozha ishin akomoduar përfaqësues të trupave diplomatike të akredituar në Shqipëri. Punimet e posaçme të Kuvendit të Shqipërisë nisën me atmosferë festive nisën jashtë ambienteve të Kuvendit ku u performuan këngë e valle popullore nga krahina të ndryshme të vendit si dhe banda frymore e Tiranës.

Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij në ceremoninë e çeljes së kalendarit të veprimtarive me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë u shpreh se sot përfaqësues nga mbarë trevat shqiptare mblidhen në ditën kur prijësi i vendit mbylli sytë. "Jemi mbledhur në ditën kur mbylli sytë prijësi i vendit, Skënderbeu, në një akt të madh nderimi ndaj atij të cilit i detyrohemi ekzistencën e kombit shqiptar. Ne jemi mbledhur si përfaqësues të të gjitha trevave për të festuar fillimin e 100 vjetorin e pavarësisë. Këtë ngjarje ja dedikojmë faktit që ne në çdo kohë, në çdo furtunë qëndruam së bashku, thellë në shpirtin, zemrën dhe aspiratën e shqiptarëve. Thellë në shpirt qëndron parimi një komb, një qëndrim, asgjë nuk mund të ndajë shpirtin e një kombi, trupin po. Lavdi Zotit ne vijmë të lirë në sallë se qëndruam së bashku”,- deklaroi Berisha. Kryeministri shqiptar u shpreh se një nderim i madh në këtë ditë i takon plakut të urtë të Vlorës, i cili u shpreh kundra qëllimit të tryezave botërore për fshirjen e shteti shqiptar nga harta. “Pavarësia e Shqipërisë ishte imponim i luftërave shqiptare në Kosovë dhe trevat të tjera. Sot nderimi më i madh i takon plakut mendjendritur, gjeniut vizionar, Ismail Qemali, i cili në rrethanat më të vështira kombëtare dhe ndërkombëtare shpalli në Vlorë pavarësinë e Shqipërisë, ndonëse në 1/3 e vendit. Ky vizionar e kishte të qartë se në tryezat e kohës ishte qëllimi fshirja nga harta e botës e shqiptarëve dhe shtetit të tyre”,- u shpreh Berisha.

Krasniqi: Është një datë e veçantë dhe për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi përshëndeti seancën speciale që organizoi Kuvendi i Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Krasniqi theksoi se pavarësia e Shqipërisë, data e shpalljes së saj, është një datë e veçantë dhe për Kosovën, pasi nga ajo datë pati vetërilindije dhe rilindje. Sipas Krasniqit, emra të shquar si Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Adem Jashari që mund të barazohen me simbiozën mençuri dhe trimëri, sollën përvjetorë të tillë që nuk mund të jenë veç bazament reflektimi. Sipas, Krasniqit, politika sot duhet të marrë shembull nga këta emra.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjatë fjalës së saj hapëse nga foltorja e Kuvendit nënvizoi se sot shqiptarët celebrojnë ditëlindjen e madhe kombëtare. “Sot jemi për të celebruar ditëlindjen e madhe kombëtare. Ne këtë vit nderojmë të lirë ngritjen e flamurit të finalizuar në Vlorë. Në historinë tonë kombi ka festuar ditëlindjen dy herë, e para 1444 dhe 1912 për të mbërritur në pavarësinë e Kosovës Gjatë Rilindjes para dhe gjatë lidhjes së Prizrenit, e më pas për të mbërritur tek dita e flamurit përpjekjet ishin të mëdha. Ideali dhe qëllimi i shenjtë i Skënderbeut ishte bashkimi i shqiptarëve. Feja e shiptarëve është Shqiptaria, Pasko Vaso i parapriu shekullarizimit me këtë shprehje”,- theksoi Topalli.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve