description

Shqipëria pret njohje të reja të Kosovës

Publikuar: E mërkure 25 Gusht 2010, 20:01 0 Komente

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i cilësoi si shumë të rëndësishme për Shqipërinë marrëdhëniet rajonale. Duke folur në konferencën me titullarët e trupit diplomatik shqiptar, ai tha se “Edhe kombe të tjera nuk mund të kenë interes kombëtar më të mirë se sa integrimi evropian”.

Duke u ndalur veçanërisht në marrëdhëniet me Serbinë, zoti Berisha tha se “Është në detyrimin tonë të punojmë për një kapitull të ri, në veçanti midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan”, duke shtuar se “Këto dy kombe kanë patur një histori shumë të hidhur”. Ai e quajti vendimin e GJND-së si historik. Vend të veçantë në agjendën e diplomacisë zë kontributi i Shqipërisë në zgjerimin e njohjes së shtetit të Kosovës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ralf Gjoni, tha se do të diskutohet edhe mbi sfidat me të cilat përballet demokracia shqiptare, “Sfida që na presin gjatë vitit të ardhshëm, veçanërisht mbi situatën në rajon, duke patur parasysh vendimin e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, ku patjetër diplomacia shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe procesi që na pret, sa i përket njohjes së shtetit të ri të Kosovës, do kërkoj një angazhim të mëtejshëm, efikas të shërbimit tonë të jashtëm”. Ai deklaroi, se deri tani diplomacia shqiptare ka patur një koordinim tepër të ngushtë me Ministrinë e Jashtme dhe Qeverinë, me instancat politike të Kosovës, por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, siç u vu re me letrën e fundi të Sekretares së shtetit, Klinton për zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm z. Meta në lidhje me çështjen e Kosovës ku shprehet falënderimi dhe mirënjohja e SHBA-së për koordinimin e ngushtë që ka patur me Shqipërinë, por edhe letra të tjera, si ajo e zëvendës kancelarit gjerman dhe ministrit të Jashtëm austriak.

“Shqipëria ka patur një rol tepër të rëndësishëm, sa i përket koordinimit të përpjekjeve për njohjen e Kosovës, por edhe për përgatitjen e dosjes për Gjykatën Kombëtare të Drejtësisë. Pas vendimit të kësaj gjykate mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, që ishte tepër pozitiv për këtë shtet të ri, ne presim njohje të reja nga shumë shtete, kështu që diplomacia shqiptare do të punojë fort në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke siguruar që këto njohje të reja të ndodhin sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të afirmojmë sa më tepër rolin dhe prezencën e shtetit të ri të Kosovës në arenat ndërkombëtare. Këtu dua të përmend patjetër OKB-në, por edhe pjesëmarrjen me të drejta të plota të Kosovës në forumet evropiane”, u shpreh ai.

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve