Receta e Cekës: Salmon i mbushur

  • 25 September 2017 - 08:37
Receta e Cekës: Salmon i mbushur

PËRBËRËSIT: 1 salmon 2-3 kg, lëngu i 1 limonit, vaj ulliri, kripë, piper, manxuranë, borzilok, 1 tubë, majdanoz, 100 gr ullinj të zi e të pastruar nga bërthamat, 1 limon i prerë në rrathë. Salmoni i pastruar nga të brendshmet, i larë dhe i fshirë, pritet horizontalisht në dy pjesë. Në tavolinë radhiten 7 spango për lidhjen e salmonit. Vendoset njëra pjesë e peshkut në të cilën hidhen lëng limoni, kripë, piper, ullinjtë e pastruar, manxuranë, borzilok, majdanoz dhe të gjitha mbulohen me pjesën tjetër të peshkut. Lidhet me spango, vendoset në tepsi të lyer me yndyrë, pastaj mbi kriposet, radhiten rrathët e limonit, hidhen majdanoz, vaj ulliri dhe futet në furrë të nxehtë për t’u pjekur për afro 40 min. Shërbehet me salcë të gjelbërt, perime të pjekura në skarë ose të fërguara dhe patate të reja të ziera. Salcë e gjelbërt: 1 tubë majdanoz, borzilok, 2-3 thelpinj hudhre, kopër, 2- 3 fileta sardele, 1 lugë mustardë, 2-3 lugë vaj ulliri, 2 lugë verë e bardhë, uthull, kripë, piper. Të gjithë përbërësit bluhen në blender. Rregullohet me lëng limoni dhe hidhet mbi salmon.

(Kosova Sot)