Receta e Cekës: KOFSHË QENGJI E PJEKUR ME BIMË AROMATIKE

  • 22 May 2018 - 08:46
Receta e Cekës: KOFSHË QENGJI E PJEKUR ME BIMË AROMATIKE

PËRBËRËSIT: 1 kofshë qengji, kripë, piper, 3-4 thelpinj hudhre, rigon, kopër, 2 lugë miell, 1 gotë verë e bardhë, 1 gotë ujë, 2 lugë vaj. Kyçet furra në 200 gradë Celsius. Kofsha lahet dhe fshihet. Hudhra shtypet dhe përzihet me kripë, piper, vaj dhe mëlmesa. Me këtë përzierje lyhet mishi nga të gjitha anët dhe fërkohet mirë, në mënyrë që ato të depërtojnë në brendi të mishit. Mirë është të qëndrojë i mbuluar 1-2 orë, por mund të përgatitet edhe në çast. Mishi përmiellet dhe vendoset në tepsi me vaj të nxehtë, ku do të piqet. Përreth derdhen uji dhe vera dhe tava futet në furrë të nxehtë në fillim me temperaturë 250 gradë C, pastaj ulet tempemperatura në 200 gradë C për t'u pjekur afro 2- 1/2 orë. Kohë pas kohe laget me lëngun dhe yndyrën të cilën e lëshon gjatë pjekjes. Nëse ka nevojë i shtohet ujë i nxehtë. Kofsha e pjekur vendoset në enë ovale të nxehtë e shoqëruar me perime të ziera dhe të kaluara në gjalpë, ose me pure patatesh të përgatitur në mënyrë franceze. Lëngu i mishit të pjekur përgatitet duke i qitur në tigan 2-3 lugë yndyrë mishi. Shtohet ½ lugë miell dhe fërgohet pak. Pjesës tjetër të yndyrës i shtohet një gotë ujë i nxehtë dhe me të përvëlohet mielli i fërguar. Përzihet azhdimisht dhe sa të fillojë të vlojë, rregullohet me erëza dhe vegetë. Lëngu vlohet 2-3 minuta, kullohet dhe derdhet në enë salce për t'u shërbyer me mish të pjekur

(Kosova Sot)