Ilaçi nga kokrrat e shtogut: Receta vendore që mposht viruset dhe kapsllëkun

  • 26 September 2016 - 20:56
Ilaçi nga kokrrat e shtogut: Receta vendore që mposht viruset dhe kapsllëkun

Kokrrat e shtogut janë të pasura me antioksidues, vitaminë C dhe E, flavonoide dhe përbërës të tjerë që ndikojnë kundër viruseve, kundër baktereve dhe veprojnë si diuretik. Për këtë arsye, shurupi nga kokrrat e shtogut ia vlen të jetë në secilën kuzhinë, sidomos kur vjen sezoni i ftohjes dhe gripit, por edhe kur ju mundon kapsllëku, plogështia e edhe stresi. Shurupi nga kokrrat e shtogut përgatitet në pranverë dhe në vjeshtë. Kokrrat e shtogut nuk guxojnë të konsumohen të freskëta, sepse janë helmuese. Me përpunim termik helmet hiqen prej kokrrave, ndërsa shurupi është i hatashëm për ta konsumuar. Shurupi përgatitet prej kokrrave krejtësisht të pjekura. Në vijim ju sjellim recetën për lëngun që do t’jua forcojë sistemin tuaj imun si dhe do ta ngritë nivelin e hekurit në gjak, ndihmon te temperatura e lartë, ndërsa që edhe është shumë i shijshëm. Nëse nuk shtoni xhenxhefil, shurupin mund ta përdorin edhe fëmijët,transmeton gazeta Kosova Sot.

 Përbërësit për shurupin nga kokrrat e shtogut:

-   1 kilogram kokrra të pjekura të shtogut,

-   1 litër ujë,

-   0,75 kilogram sheqer,

-   2 cm rrënjë xhenxhefili të freskët,

-   lëngu dhe lëvorja e një limoni,

-   0,5 kilogram mjaltë vendor.

Përgatitja:

1. Kokrrat e shtogut i futni në ujë dhe i zieni, e pasi të jenë zier rreth 15 minuta, i hiqni nga zjarri, shtoni xhenxhefilin e bluar dhe lëngun e limonit me lëvoren e bluar të tij. 

2. E mbuloni, e lini të qëndrojë ashtu 30 minuta dhe e kulloni.

3. Lëngun e  proceduar e vloni, ia shtoni mjaltin dhe derisa është i ngrohtë, e vendosni nëpër shishe prej qelqit.

Shurupin nga kokrrat e shtogut ta ruani në vend të ftohtë dhe të errët (bën edhe në frigorifer) dhe e përdorni si shurup dhe mund ta holloni me ujë. 

(Kosova Sot)