Kur gjëndra tiroide nuk punon si duhet

  • 03 July 2015 - 18:12
Kur gjëndra tiroide nuk punon si duhet

Jeni irritabilë, shtoni në peshë dhe nuk mund të përqendroheni? Krejt këto mund të jenë simptoma të ndonjë sëmundjeje të gjëndrës tiroide

Gjëndra tiroide, që ka formë të fluturës dhe gjendet në qafë, mund të ketë ndikim të madh në funksionimin e tërë organizmit. Nëse jeni femër më e vjetër se 35 vjet, atëherë rreziku nga çrregullimet e kësaj gjëndre është më i madh se 30%.

Ja disa simptoma, të cilat ju tregojnë se duhet të shkoni te mjeku, për ta kontrolluar këtë gjëndër:

Lodhja e tepërt

Kjo simptomë haset te hipotireoza, kur gjëndra tiroide punon më pak sesa normalisht. Nëse jeni të lodhur edhe në mëngjes, kur të zgjoheni nga gjumi, edhe nëse keni fjetur mirë tërë natën, atëherë mund të vuani nga hipotireoza.

Rënia e vullnetit

Ndjenja e mërzisë dhe rënies së vullnetit lidhet po ashtu me hipotireozë. Hormoni i gjëndrës tiroide mund të ndikojë te niveli i “hormonit të lumturisë” (serotoninë) në tru.

Nervozizmi

Nervozizmi dhe “një ndjenjë e çuditshme” mund të lidhen me hipertireozën, gjendjen ku gjëndra tiroide sekreton më shumë hormone sesa normalisht. Nëse nuk mund të relaksoheni, atëherë shikoni mos vuani nga hipertireoza.

Ndryshimi i shijes dhe apetitit

Apetiti i shtuar mund të jetë shenjë e hipertireozës, kurse hipotireoza mund ta ndryshojë shijen dhe aromën e ushqimit.

Tharja e lëkurës

Lëkura e thatë, e cila qërohet mund të jetë shenjë e hipotireozës, për shkak të ngadalësimit të metabolizmit, gjë që e zvogëlon edhe djersitjen. Edhe thonjtë bëhen më të brishtë.

Çrregullimet e ciklit menstrual

Menstruacionet që janë të dhembshme dhe që zgjasin më shumë se rëndomë, mund të jenë shenjë e hipotireozës. Te hipertireoza gjakderdhja menstruale është më e vogël dhe zgjatë më pak, e distanca midis cikleve zgjatet.

Shterimi i zërit

Ndryshimet në zë dhe ndjenja e një duqi në fyt, lidhen me problemet me tiroide. Shikojeni mirë qafën, derisa pini ujë. A ka thellime, apo ënjtje.

Çrregullimi i gjumit

Nëse vazhdimisht keni nevojë për gjumë, atëherë ka mundësi që vuani nga hipotireoza. Në anën tjetër, hipertireoza shkakton pagjumësi.

Flokët janë të hollë dhe bien

Flokët e thatë, që bien apo janë të dëmtuar, mund të jenë shenjë e hipotireozës. Kjo mund të ndikojë në rënien e tërë qimeve të trupit. Funksioni i tepërt i tiroides, hipertireoza, mund të shkaktojë ndryshime në qime, por vetëm në flokë.

Nuk mund të ngelni shtatzënë

Nëse ka kohë që mundoheni të ngelni shtatzënë, e nuk mundeni, atëherë midis të tjerash, fajin mund ta ketë edhe gjëndra tiroide, qoftë me hiper, apo hipofunksion

(Kosova Sot)