Mos lejoni që insektet t'jua prishin pushimet: Ndihma e parë te kafshimi dhe të ënjturat

  • 26 July 2017 - 08:28
Mos lejoni që insektet t'jua prishin pushimet: Ndihma e parë te kafshimi dhe të ënjturat

Skuqjet apo të ënjturat nga meduza më pak dhembin, nëse vendin e prekur e ftohni. Dielli nuk është rreziku i vetëm që lëndon sa jeni në pushim. Kafshimet e insekteve dhe iriqit të detit, si dhe meduza shkaktojnë dhimbje, e nganjëherë janë edhe të rrezikshme. Ku meduza prek, shfaqet dhimbje e fortë, e më pas shfaqen edhe flluska. Vendin duhet ta shpëlani me ujë të njelmët ose me uthull. Nëse hapësira e prekur është e vogël, duhet vendosur antihistaminik (krem kundër reaksioneve alergjike), e fëmijëve mund t'u jepni edhe shurup kundër dhimbjeve. Nëse fëmija shkel në iriqin e detit, ferrat duhet hequr menjëherë, derisa lëkura është e lagur dhe e butë. Kjo bëhet me pincetë sterile ose me gjilpërë. Pasi të jenë nxjerrë ferrat, hapësirën e prekur duhet dezinfektuar. Pos këtyre, verën e përcjellin edhe kafshime të mushkonjave, bletëve, grerëzave. Në vendin e kafshimit zakonisht aplikohen kompresa të ftohta. Marrë parasysh se bëhet fjalë për reaksion alergjik, vendin duhet lyer me krem kundër reaksionit alergjik. Në vendin e kafshuar nga bleta, mushkonja mund të vihen edhe tableta aspirine apo andoli. Tableta në vendin e kafshimit mbahet një apo dy minuta, transmeton gazeta Kosova Sot.

UJI I THJESHTË VETËM BËN DËM

Kafshimi nga meduza, vendin kurrsesi nuk duhet shpëlarë me ujë të thjeshtë, sepse kështu vetëm sa e shtoni dhimbjen. Nëse në trup kanë mbetur shenja, atëherë mund t'i pastroni me rërë ose t'i shtyni me kartelë krediti apo pjesën e drurit të akullores.

MOS SHKONI NË PUSHIME PA KËTË

Në çantën e gjërave të shumta për pushime verore, detyrimisht duhet të keni edhe antiseptik, pincetë, krem antihistamink, shurup për uljen e temperaturës (njëherësh edhe kundër dhimbjeve), garza sterile dhe trakë ngjitëse.

KAPELA DHE SANDALET I MBROJNË MË TË VEGJLIT

Fëmijëve duhet kushtuar shumë vëmendje, derisa janë në pushime, duhet të mbathin sandale prej plastike, e kremin për rrezitje mos harroni ta përdorni edhe nën kostumin e larjes, kjo për faktin se fëmijët nuk ndalojnë së lëvizuri. Edhe kapela është domosdoshmëri derisa fëmijët, por edhe të rriturit, janë në diell. 

(Kosova Sot)