Domatja dhe shalqiri, parandalim i shkëlqyeshëm i kancerit në veshka

  • 04 August 2015 - 13:30
Domatja dhe shalqiri, parandalim i shkëlqyeshëm i kancerit në veshka

Konsumimi i shpeshtë i domateve dhe llojeve tjera të pemëve dhe perimeve me nivel të lartë të likopenit, sipas studimit më të fundit, ndërlidhet me pakësim të rrezikut për t’u prekur nga kanceri në veshka. Likopeni është antioksidues përgjegjës për ngjyrën e domates, shalqirit, grejpfrutit dhe papajës, ndërsa edhe në një studim të mëhershëm konsumimin e likopenit e kanë ndërlidhur me pak rrezik për zhvillimin e kancerit të mushkërive dhe kancerit në lukth.

Të dhënat e fundit janë grumbulluar gjatë njëzet viteve të fundit, ku kishin marrë pjesë rreth 9.200 të anketuara, të cilat e kishin kaluar menopauzën. Pjesëmarrëset në studim me sasi të shtuar të konsumimit të likopenit, mesatarisht për 45 për qind, ishin më pak të rrezikuara nga kanceri në veshka, në krahasim me të anketuarat, që kishin konsumuar më pak sasi të likopenit.

Shkencëtarët besojnë se analizat e bëra mund të shpjegohen për nga ndikimi i likopenit në zvogëlimin e stresit oksidues, që ndërlidhet me zhvillimin e kancerit në veshka. (Kosova Sot)